Meta: Rekomandimi për çeljen e negociatave, akt inkurajues për Shqipërinë

Tiranë, 17 prill 2018 – Aasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, u është drejtuar tri institcioneve kryesore te vendit për dorëzimin e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.

Fillimisht ajo ia ka dorëzuar raportin kryeministrit Edi Rama, e më pas edhe Presidentit Ilir Meta dhe Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Presidenti Meta e ka cilësuar Raportin si një akt inkurajues, të shumëpritur dhe strategjik për të ardhmen evropiane të vendit.

Ai ka thënë se Raporti i Progresit për Shqipërinë është në harmoni të plotë me strategjinë e zgjerimit që synon një perspektivë të besueshme dhe angazhim të thelluar të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Meta e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm për Shqipërinë vendimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Presidenti Meta ka shprehur kënaqësinë që ky raport dhe, posaçërisht rekomandimi për çeljen e negociatave, “i gjen të gjithë aktorët politikë, institucionalë dhe qytetarët shqiptarë të bashkuar në dëshirën për të përparuar sa më shumë dhe sa më parë drejt BE-së, pa mëdyshje”.

Kreu i shtetit shqiptar ka shprehur besimin se ky moment do të shërbejë për një reflektim të thellë dhe serioz të subjekteve politike për përballjen e sfidave të mëdha që Shqipëria ka përpara, në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. (r.m.) 

Comment

*