Mid’hat Frashëri – Ylli Polar përtej mjegullnajës, mosnjohjes dhe mosmirënjohjes

Në 138 vjetorin e lindjes së shërbestarit të përulur të shqiptarizmës Mid’hat Frashëri (Lumo Skëndo)

 

Shkoi edhe një vit tjetër. Sërisht erdhi marsi. Sërisht dimri i acartë shkoi përtuar për t’ia lënë vendin pranverës, për të marrë udhë cicërimat e zogjve, bukuritë e livadheve, zërat gazmorë të fëmijëve që lodrojnë. Teksa pemët bëhen gati të gjethojnë, më vjen ndërmend që, në vitin e largët 1880, pranvera na solli ne shqiptarëve më shumë sesa cicërima, lule e gjethe; ajo na solli një punëtor të urtë e të mençur nga një derë e fisme, nga dera e Frashërllinjve të Përmetit. Thënë më shkoqur, marsi është muaji që i solli shqiptarëvë shërbëtorin e tyre, Mid’hat Frashëri (Lumo Skëndo). Marsi na solli djalin e përkushtuar të Abdyl Frashërit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nipin e Naimit—poetit tonë kombëtar—dhe Samiut—filozofit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Hulumtuesi i vëmendshëm gjen tek figura e Mid’hat Frashërit tiparet më të mira patriotike e atdhetare të cilat frymëzojnë. Nuk mund të ishte ndryshe. Trashëgimia e shëndoshë gjenetike bëri punën e saj. Ja si e shpreh vetë Mid’hati predispozionin e tij gjenetik për tu bërë i dobishëm për Shqipërinë:

“Isha pesë vjeç, kur e njoha për herë të parë t’im atë, në Banderma, kur u fal prej burgut, por qe akoma i dënuar në mërgim. Im atë fliste mirë, qe elokuent, i pëlqente bisedimi. Në mërgim, edhe më tepër akoma në Stamboll, me miqtë që vinin ta vizitonin, im atë, subjektin e preferuar të kuvendimit e gjente në të rrëfyer të ngjarjeve të pasluftës ruso-turke, të kujtimeve të Lidhjes e shpresat për të pritnim. Kështu që ca nga ca, në mënyrë inkoshiente, mëmëdheu mori për mua formën e një perëndie dhe kulti i tij mori për mua vendin e një besimi fetar.” (AQSH. Fondi 35, d. 11)

Ndaj Mid’hat Frashëri e mori përsipër me zell e krenari amanetin e të atit, barrën e të qenit pinjoll i derës së madhe të Frashërllinjve. Mid’hati nuk mund ti harronte lehtë fjalët që iu kishte thënë i ati turqve para se ta ekzekutonin kur e kishin pyetur për dëshirën e fundit. Abdyli kishte thënë:

“Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”.

Amaneti e bëri Mid’hatin t’a marrë pa hezitim stafetën e shërbestarit të shqiptarizmës, duke u bërë protagonist i ngjarjeve më kulmore të historisë sonë kombëtare të kohës që jetoi. Ngjarje të tilla ishin të shtrira në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, periudhën e rreziqeve të mëdha ndaj shtetit të ri shqiptar deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe së fundmi periudha pas Luftës së Dytë Botërore. Pas një veprimtarie në Klubin e Selanikut, ai u zgjodh në 1908 kryetar i Kongresit të Manastirit, apo siç njihet ndryshe Kongresi i Alfabetit. Në 1912, Mid’hat Frashëri ishte firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë dhe më pas shërbeu si Ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit. Në fakt, Mid’hat Frashëri është politikani i parë në historinë e Shqipërisë që ka praktikuar mjete demokratike në politikëbërje. Ai themeloi institucionin e dorëheqjes, duke u tërhequr nga posti i ministrit. Pikëpamjet e tij në ndërtimin e shtetit sipas parimeve të një shoqërie liberal-demokrate ishin gati të panjohura në hapësirën shqiptare në çerekun e parë të shekullit të kaluar. Pikëpamje të tilla u bënë ende më tabu me ardhjen e komunistëve shqiptarë, të mbështetur nga komunistët jugosllavë.

Këto dhe fakte të tjera të rëndësishme do t’iu fshiheshin shqiptarëve gjatë sundimit të regjimit komunist. Kontributet patriotike të Lumo Skëndos së madh vazhduan për dekada me radhë, nga puna e palodhur për mbrojtjen e Shqipërisë pranë Konferencës së Paqes në Paris në 1919, deri tek të shërbyerit si Ambasador i Shqipërisë në Athinë dhe mbrojtja e zellshme prej shërbëtori të përulur e Çamërisë së martirizuar. Njihen tashmë letrat e arkivuara që i drejtonte Mid’hat Frashëri Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe kreut të shtetit Ahmed Zogu në lidhje me krizën e thellë që përjetonte popullsia Çame. Në to përçohet shqetësimi i atdhetarit me zemër të madhe, instinktet e forta të diplomatit të matur, horizonti i gjerë i eruditit të përmasave europiane.

Edhe krijimi i Partisë Balli Kombëtar dhe platforma programore prej 10 pikash, e njohur tashmë si Dekalogu, ishte në vazhdën e punëve të mira të Mid’hat Frashërit, pavarësisht baltosjes që do t’i bënin komunistët. Askush nuk e mbrojti Kosovën më mirë sesa Mid’hat Frashëri në Konferencën e Mukjes, të mbajtur 1-3 gusht 1943, pas së cilës Enver Hoxhës e shokëve të tij jugosllavët iu tërhoqën veshin. Megjithatë, Lumo Skëndo ua bëri të qartë pjesëmarrësve atë që donte ai dhe Balli Kombëtar:

“Zotërinj, nuk jam as për Shqipërinë e madhe dhe as për Shqipërinë e vogël. Jam për Shqipërinë Etnike në të cilën sot banojnë tërësisht shqiptarë apo shumicë shqiptarësh e që kanë shprehur vullnetin të bashkohen në një komb të vetëm, të ndarë padrejtësisht, në një atdhe e shtet kombëtar.”

Marrëveshja për krijimin e një fronti të përbashkët kundër pushtuesve u shkel nga komunistët nën presionin e Jugosllavëve për çeshtjen e Kosovës, por asgjë nuk e ndali luftën e Mid’hat Frashërit as ndaj pushtuesve dhe as ndaj komunistëve, të cilët ai i shihte si kërcënim serioz dhe që koha e provoi katërcipërisht. Ja ç’thoshte ai:

“Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qenëve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut.”

Besimin në parimet demokratike dhe dashurinë për atdheun Mid’hat Frashëri e shprehu edhe kur vendosi të shpërbëjë Ballin Kombëtar për të shmangur vëllavrasjen.

Duke parandjerë gjëmën që do të përjetonin shqiptarët nën komunizëm, Mid’hat Frashëri u largua nga Shqipëria por jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luftën për çlirimin e atdheut nga dogma bolshevike. Ai krijoi në mërgim Komitetin Kombëtar Shqiptar “Shqipnija e Lirë” dhe siguroi mbështetjen e amerikanëve për ta zhvendosur komitetin atje. Në 3 tetor 1949, Mid’hat Frashëri mbylli sytë në Nju Jork. Ai u varros atje dhe, pavarësisht amanetit të tij për tu prehur në atdhe, mbetet larg Shqipërisë që e deshi aq shumë.

Komunistët e shpallën armik djalin e Abdyl Frashërit, por fallsifikatorët e historisë sonë ende nuk i janë përgjigjur dot pyetjes se pse duhej të bashkëpunonte Mid’hat Frashëri me nazistët në dëm të Shqipërisë, siç e akuzuan dhe ende trumpetojnë ata. Pse duhej një zemër që digjej për Shqipërinë ti bënte dëm asaj?!

Një kapitull krejt i veçantë, që do të jetë objekt i një shkrimi tjetër, është kontributi i Mid’hat Frashërit si njeri i letrave. Shkrimet e tij tek revista “Albania” e Faik Konicës, ato tek “Kalendari Kombiar” i Kristo Luarasit, puna kolosale në hapjen e gazetës “Liria” të botuar në Selanik, pasuria enciklopedike e lënë nëpërmjet revistës “Diturija” që ai themeloi, hapja e librarisë “Lumo Skëndo” në Tiranë dhe lënia amanet që biblioteka e tij e pasur prej 40 mijë vëllimesh ti dhurohet shtetit shqiptar për krijimin e një Instituti Albanologjik flasin më shumë sesa fjalët. Fjalët dorëzohen kur vjen puna tek përshkimi i një gjigandi enciklopedik si Lumo Skëndo.

Kontributet e Mid’hat Frashërit i japin atij një vend nderi në historinë tonë kombëtare, por baltosja e gjatë ka bërë punën e saj. Mes problemeve të shumta të tranzicionit të tejzgjatur, shqiptarët nuk kanë patur mundësi të thellohen dhe ende nuk e njohin mirë shërbëstarin e tyre të devotshëm. Megjithatë, përpjekjet e atyre që ende besojnë dhe përhapin historinë e fabrikuar të Enver Hoxhës do të dështojnë me turp.

Hendeku i njohjes dhe ai i mosmirënjohjes do të mbyllen sepse dogmës bolshevike që ka helmuar trurin për dekada me radhë do ti dalë boja përfundimisht. Ne si shoqëri do të çlirohemi nga sundimi i absurdit, nga fallsifikimi dashakeq i historisë dhe do të përqafojmë ata që u shkrinë për ne. Po, po. U shkrinë që ne të shihnim ditë më të mira. Shoqëria shqiptare do të kuptojë se duke mos njohur e përqafuar pararendësit e saj më të mirë, ajo jo vetëm që tregon vulgaritetin e saj primitiv por edhe dëmton ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, e cila bazohet në vlera të njohura mirë universalisht. Njëra prej tyre është nderimi dhe respekti ndaj atyre të cilët mbi interesin vetjak vënë atë të përgjithshëm.

Tradita perëndimore na mëson shumë në këtë drejtim. Mid’hat Frashëri do të thoshte se historia na mëson “një tog me shëmblla”. Nuk është as rastësi dhe as risi fakti që shoqëritë e emancipuara e të qytetëruara marrin hov, fitojnë energji, gjejnë entuziazëm teksa kujtojnë e nderojnë baballarët e kombeve të tyre. Pra, duke nderuar kollosët e mendimit e të veprimit patriotik, ata jo vetëm që nderojnë ata që meritojnë respekt, por tregojnë humanizmin dhe kompaktësinë sociale. Për më tepër, shoqëritë perëndimore edukojnë brezat me shembullin e shërbimit publik dhe përkushtimin ndaj kauzave më të mëdha sesa egoizmi personal dhe axhendat meskine.

Përndryshe, ne do të na kaplojë mallkimi i mosmirënjohjes. Nëse nuk nderojmë dhe edukohemi, ne do mbetemi një shoqëri në të cilën perversiteti triumfon mbi virtytin, paraja triumfon mbi moralin, mashtrimi sundon mbi të vërtetën.

Shkoni shikoni rrënojat e shtëpisë së Patër Gjergj Fishtës nëse nuk besoni! Ose shkoni dëgjoni ata që çuditen se pse populli i Elbasanit nuk e tërheq zvarrë Lef Nosin, njërin nga firmëtarët e Pavarësisë. Këtë fytyrë ka perversiteti. Kështu fillon mallkimi.

Pra, ne si komb i kemi shumë borxh atyre që na shërbejnë, përfshirë Mid’hat Frashërin. Jo vetëm se ai shkriu jetën për atdhe por edhe sepse u baltos e u anatemua padrejtësisht për mëse gjysëm shekulli. Kombet e qytetëruara i nderojnë elitat e tyre. Ne po i poshtërojmë ato. Aq shumë sa edhe motivet e një vizite tek varri i një shërbestari të kombit si Mid’hat Frashëri vihen në dyshim. Pse gjithë ky cinizëm?

Mes të tjerash, Lumo Skëndoja i madh ishte njohës i mirë i disa gjuhëve por ishte i dashuruar me shqipen dhe këshillonte që t’a ruajmë të pastër atë. Ja si shkruan ai në vitin 1905 tek Kalendari Kombiar i Kristo Luarasit:

“Edhe m’u kujtua që mjaft shqiptarë e kanë për mburrje të përziejnë një shumicë fjalësh të huaja, kur kuvendojnë shqip. Myslimanët, që kanë nxënë turqisht, trazojnë fjalë nga kjo gjuhë; të krishterët, që kanë mësuar greqisht, trazojnë gjuhën e tyre me fjalë të marra nga gjuh’e Athinës, edhe thonë; malista, parakallo, kalimera, matotheo, efharisto, etj. (Këto fjalë shqip përkthehen: si urdhëron, të lutem, mirëdita, për perëndinë, tungjatjeta, etj.)
Do me turqisht qoftë, do me greqisht, ata që trazojnë gjuhën shqip me fjalë të tjera, bëjnë një faj të madh. Bëjnë faj se është një gjë fort e shëmtuar të vërë njeriu fjalë të huaja në një gjuhë. Kur e flet vetë, njeriu s’i ve re: po kur dëgjon një tjetër, që kuvendon një gjuhë të përzier me fjalë të huaja, ahere e kupton se sa shëmtim ka.
Bëjmë faj duke përforur fjalë të huaja, harrojmë fjalët shqip dhe prishim gjuhën tonë…”

Si mund të harrohet ky njeri?! Si mundet të lihen eshtrat e tij në dhé të huaj?! Si lihet amaneti i tij i paplotësuar?! Jo më kot një shprehje popullore thotë: Ti dihej kimeti kaut të arës që punon tokën, ai nuk do të therej kurrë për mish.

Për t’a mbyllur, le t’a njohim Mid’hat Frashërin tonë! Le t’a njohim Lumo Skëndon tonë të madh! Ai i kushtoi Shqipërisë gjithë jetën, iu gjend asaj në ditët më të vështira, siç bën një bir i mirë për nënën e tij. Madje, Lumoja i madh donte të jetonte me harret e Shqipërisë edhe në jetën e amshuar:

“Kur të vdes, miq, mos mbillni mbi varrin tim lule, që i than diell’ i gushtit, mos më vini një shtyllë në këmbë, që e rrëzon era e Veriut.

Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe në mes të bregut të vogël virmëni një qiparis.

E dua këtë dru që përçmon vitet e shekullit, që u bën ballë Jugës që djeg dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.

Shpirti im do të jetë i pështjellë në trupin e tij dhe do të shohë këtë njerëzi, këtë botë dhe stërnipërit e të sotmëve. Edhe kur fryn Veriu i egër dhe dëgjon drurin plak t’oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij. Është zemra ime, që qan e rënkon.
Edhe kur shihni mbi gjethin e saj të hollë pikëza, që shkëlqejnë në diellin e një mëngjesi gazmor, mos pandehni se janë pika vese të natës. Janë lotët e mi.

Se dua edhe që pas vdekjes, o miq të pritmit, të rënkoj e të qaj bashkë me ju, të kem pjesë në gëzimet e pikëllimet.”

Për kontributet e mëdha të jetës së tij, për aktualitetin e mësimeve që na ka lënë dhe për nevojën urgjente që kemi në si shoqëri për të reflektuar, Mid’hat Frashëri mbetet burim frymëzimi për dashamirët e së vërtetës. Ai mbetet referencë e patrotit të përkushtuar dhe njeriut mendjemprehtë të letrave e veprave. Lumo Skëndoja i madh mbetet Ylli Polar i shqiptarëve.

Ilir Hysa, PhD
SHBA
Mars 2018

FOTOGRAFITË

Lart: Dr. Ilir Hysa gjatë një aktiviteti përkujtimor për Mid’hat Frashërin.

Poshtë: Pranë varrit të Mid’hat Frashërit në Nju Jork nga e majta në të djathtë: Ilir Muja, Fatmir Muja, Dr. Ilir Hysa, Edmond Seko, Pëllumb Lamaj dhe gazetari Robert Papa.

Comment

*