Miku ynë Barry Farber

Julika Prifti

Barry Farber dhe Naum Prifti ne studion e F. Berishes ne festimin 50 vjet shkrimtar, 2002

Para pak kohësh u nda nga jeta Barry Farber, i cili ishte komentator, autor, dhe drejtues i programit të vet radiofonik Barry Farber Show, të cilin e drejtoi për 60 vjet, vetëm me një ndërprerje të shkurtër kur vuri kandidaturën për kryetar bashkie në Nju Jorkut (1974) dhe kongresmen në Uashington (1974). Barry Farber ishte njohës dhe studiues i 22 gjuhëve, te cilat i praktikonte me pasion dhe entuziazëm. Këtë mund ta them me siguri për gjuhën shqipe. Përveç kureshtjes dhe etjes së gjerë lingustike, Barry kishte diapazon të mrekullueshëm për kulturën dhe historinë si edhe kuriozitet të pashterrueshëm intelektual.

Siç e tregonte vetë, ai e dëgjoi emrin e një vendi të quajtur Shqipëri papritur në klasën e katërt në Karolinën Veriore, kur mësuesja u njoftoi se vendi nga vinte një nxënës dhe shoku i klasës, John Pema, ishte pushtuar nga Italia fashiste. Ishte 7 prilli i vitit 1939. Barry me t’u kthyer në shtëpi gjeti atlasin të gjente Shqipërinë. E prej asaj dite nuk i pushoi kurioziteti për vending e vogël në Ballkan.

Kureshtja e tij e solli që një ditë të vitit 1997, ai e pyeti motrën e madhe, Loretën, që punonte në zyrën dentare të doktor Lynkow, ekspert i implantologjise dentare, se nga ç’vend vinte. Barry na tregonte vetë sesi fluturoi nga karrikja nga gëzimi. “Gjithnjë kam dashur të takoj shqiptarë nga Shqipëria e të mësoj nga goja e tyre për vendin dhe historinë e tij”. Barry thoshte se kur vizitoi Jugosllavinë në 1957 donte të vizitonte edhe Shqipërinë, po nuk i dhanë vizë. Aty për aty ai i tha Loretës se donte të njihej me gjithë familjen e saj. U ngazëllye kur mësoi se babai ishte shkrimtar i njohur në Shqipëri e për më tepër thuajse moshatar me të. Barry ishte vetëm 2 vjet më i madh në moshë. Ai e ftoi gjithë familjen Prifti, prindërit, vajzat, burrat e fëmijët e tyre për darkë me Barry Farber dhe prej asaj dite ne takoheshim për festa e gëzime familjare që i ndanim së bashku.
Në emisionit e tij Barry ftoi Erin, djalin tim, dhe Dorianin, nipin, që në atë kohë ishin nxënës gjimnazi në Nju Jork për të diskutuar për vitet e shkollimit të tyre në Shqipëri. U mahnita me nivelin e shtjellimit të mendimeve gjatë bisedës së tyre si të ftuarit kryesore në emisionin radiofonik të tij.

Barry Farber kishte dhuntinë e një oratori, por edhe të një bashkëbiseduesi të informuar dhe të respektuar. Sado që të dinte përsëri e lejonte veten të dëgjonte dhe mësonte nga çdo bisede dhe me çdo njeri. Një nga temat më interes ishte koha e ndërprerjës së marrëdhënieve me Jugosllavisë e Titon, në fund të viteve 50 dhe kur dëgjonte rrëfimin e babit thoshte se nuk mund të kishte përshkrim me të plotë dhe të saktë:

“Unë me një shok të klasës shkuam si çdo pasdite në shtëpinë e rinisë në Ersekë të luanim ping-pong – e fillonte rrëfimin babi. Kur hymë brenda menjëherë na ra në sy se në sallën ku luanim mungonte një portret në mur, ai i Titos. Të alarmuar për këtë akt, që nuk mund të ishte veçse armiqësor u nisëm për në zyrën e sekretarit.

-Për çfarë akti bëhet fjalë? Kush e ka kryer? Një nga shokët tuaj? –pyeti sekretari.
Kur i thamë se mungonte një portret në sallën e ping-pongut

-Çfarë portreti?-pyeti ai.

-Portreti i shokut Tito është hequr nga muri, miku i madh i popullit tone….

– Oh mos u bëni merak, – na ndërpreu sekretari. Nuk ka asnjë problem. Shkoni të luani.- na përcolli Sektretari pa na dhënë sqarime.

Pas disa ditësh lexuam lajmin e prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë,” përfundonte babi.

Barry-t i pëlqente tregimi i babit dhe e përsëriste shpesh kur në tavolinë kishim miq amerikanë që nuk e dinin prishjen e marrëdhënieve të Shqiperisë me me Jugosllavinë. Kur e përfundonte rrëfimin tragjiko-komike Barry qeshte me të madhe.
Për Kosovën dhe gjatë periudhës së luftës Barry Farber ftoi përkrahës dhe simpatizantë amerikanë për çlirimin e Kosovës. Ai e ftoi motrën Rafaelën në pas kthimit të saj nga kampet e refugjatëve kosovarë, kur shoqëroi ekipin e rrjetit televiziv ABC për emisionin special 20/20. Ai nuk ndihmojë vetëm me shpjegimin e gjendjes se rëndë e kritike të shqiptarëve në Kosovë dhe zbulimin e së vërtetës për krimet serbe ndaj shqiptarëve, po u kujdes të mblidhte e të dërgonte edhe ndihma.
Verën e kaluar, pas vizitës në Shqipëri, ne e vizituam Barry-n në shtëpinë e tij në Manhattan dhe i dhuruam një suvenir – ishte një Pasaportë Shqiptare me të cilën, i thamë se ishte edhe formalisht pjesëtar i familjes shqiptare Prifti. Ne ishim bashkë në aq shumë festime të ditës së flamurit shqiptar, në shfaqje e recitale familjare si edhe në Krishlindje madje edhe Pashkë, pa e ndjerë dallimin midis shqiptarëve emigrantë te ardhur nga përtej oqeanit dhe një “çifuti nga Karolina Veriore”, siç e quante veten Barry. Kultura, respekti ishin te mbrujtura me intellektin e tij te pashoq.

Nga kujtimet e thuajse një çerek shekulli, do veçoj darkat të restorantet Pier, Bocconcino, Ole, Bruno’s , Robert. Si personalitet i njohur nga shumë pronarë, ai ishte në restorant i mirëpritur si në shtëpinë e tij. Dikur gjatë darkës kishim një traditë që ia merrnim këngës. Barry dinte një kënge të vjetër shqiptare që e këndonte mjeshtërisht.

Për mua, kujtimi më i bukur është në restorantin Asti ku kamarierët ishin këngëtarë operistike e ta sillnin porosinë duke kënduar arie te ndryshme dhe një tenor argëtonte darkuesit. Barry e dinte qe mua me pëlqente shume ‘O sole Mio” e i kërkoi tenorit ta këndonte. Tenori u tregua i gatshëm madje më ftoi edhe mua ta këndonim këngën së bashku. Nuk kisha kënduar asnjëherë në krah të një tenori e nuk kisha ndjerë kurrë sesi del zëri prej stomakut e kraharorit të një tenori. Në fund, tenori më falënderoi që e “ndihmova” të këndonte O sole mio!
Miku ynë i mirë Barry dinte të sillte hare në darkim, humor në rrëfime dhe seriozitet në bisedat për çdo temë për atdheun sepse me Barry-n ndiheshim si në vendin tonë.

Largimi i tij nga jeta na lë një zbrazëtirë të madhe në zemër po kujtimet e shumta e të mrekullueshme janë një ilaç për të zbutur dhembjen.

Ilir Qiftja, Rina e Naum Prifti, Barry Farber, Loreta Qiftja ne shtepine e Naumit duke festuar Pashket, 2000

Gjithe familja Prifti me Barry Farber ne Pier Restaurant ne 2001.

Julika Prifti e Barry Farber ne nje valle popullore shqiptare, ne Bruno Restaurant, ne festimin e 75 vjetorit te ditelindjes se Naumit, 2007.

Comment

*