Mikullovci: Seanca konstituive e kuvendit mund të mbahet të hënën

Prishtinë, 10 gusht 2017 – Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës pritet të ndodhë ditën e hënë.

Mikullovci ka thënë se data dhe dita nuk janë ende zyrtare, mirëpo pritet që seanca të vazhdojë ditën e hënë.

“Ende nuk e kemi përfundimtare ditën. Mirëpo, po besojmë që seanca e radhës do të mbahet ditën e hënë”, ka thënë Mikullovci për gazetën Express.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur as sot të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët, pasi që në sallën e Kuvendit nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit PAN. Aty nuk kanë qenë të pranishëm as deputetët e komuniteteve pakicë.

Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të koalicionit LAA.

Kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci, ka thënë se seanca ndërpritet për shkak të mungesës së deputetëve të koalicionit PAN, ndonëse në sallë gjendeshin 61 deputetë.

Ndërkohë, zyrtarë të koalicionit PAN kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e radhës pa u plotësuar kushtet që i kanë vënë ata në takimin konsultativ të përfaqësuesve të partive parlamentare, të mbajtur të mërkurën.

Ata kanë kërkuar që të mërkurën e ardhshme të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ, ku do të caktohej data e seancës së radhës.

Por, pas ndërprerjes së seancës, përfaqësues të PDK-së kanë këmbëngulur se PAN-i nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Kadri Veselit për kryetar të kuvendit. Sipas tyre, Kushtetuta ia garanton këtij koalicioni të drejtën e propozimit për kryetar të Kuvendit, kurse Vetëvendosje dhe koalicioni LAA nuk mund t’ia shkurtojnë këtë të drejtë. (r.m.)

Comment

*