Milionat në “Toyota Yaris”, Balla bën kallëzim për Bashën

Tiranë, 27 qershor 2018 – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë kërkesë Prokurorisë së shtetit që të ndjekë penalisht kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me operacionin e kapjen së 3.4 milionë eurove në dy vetura “Toyota Yaris”, në Portin e Durrësit.

Balla pretendon se Basha, në fjalimin e tij në Parlament, e ka dekonspiruar operacionin, me qëllim që të ndihmojë persona të tretë.

“Duke marrë  në  konsideratë  momentin kohor  kur i kallëzuari prej meje ka vendosur të  deklarojë  si mësipër, deklaratën e policisë  së  shtetit dhe momentin kur është  kapur  sasia e parave, mua si kallëzues më  lind dyshimi  se z. Lulzim Basha, me dashje të  drejtpërdrejtë  ka përhapur informacion  mbi akte, veprime sekrete të  cilat kanë  ndihmuar persona të  tretë.  I kallëzuari nuk ushtron detyrë  publike të  një  natyre nga e cila mund të  vijë  në  dijeni të  informacionit që ai ka përhapur, por ky informacion pa asnjë  diskutim i është  dhënë  nga persona që  kanë  lidhje me hetimin dhe i kanë  dashur pasojat e veprimeve të  tyre”, thuhet në kallëzim.

Balla pretendon se pas fjalimit të Bashës, persona që tani janë në kërkim, janë larguar nga vendi.

“Sikurse ka rezultuar nga hetimet paraprake, ka persona të  cilët janë  në  kërkim dhe në  vlerësimin tim, këta shtetas duhet të  jenë  larguar pasi kanë  dëgjuar Z. Lulzim Basha   në  deklaratën e tij përpara kapjes së  parave nga Policia e Shtetit”, thuhet më tutje në kallëzimin e Ballës.

“Por, deklarata e Policisë  së  Shtetit dhe më  pas kapja e sasisë  së  parave më  bëri të  mendoj se i kallëzuari është  informuar me qëllim prej personave që  kanë  patur dijeni mbi informacionin në  mënyrë  që  personat që  janë  marrë  me këtë  punë  të  mund të  shpëtonin”, shton kryetari i geupit të deputetëve socialistë.

Balla pretendon se kreu i PD-së e ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor.

“Unë  mendoj se këto janë  bërë nga i kallëzuari, pasi ai e ka kuptuar impaktin e veprimit të  tij kriminal dhe ka dashur që ta kalojë në diskursin e tij të zakonshëm, politik dhe publik”, ka shkruar Balla. (r.m.)

Comment

*