Militantët e dhunshëm janë armiku kryesor i kauzës së çdo proteste

Ruben Avxhiu

Demokratëve ua vodhën protestën sot. Një grup protestuesish çanë kordonin e policisë, thyen xhamat si të marrosur dhe pastaj vandalizuan vepra arti.
Nuk më takon mua t’u tregoj demokratëve se kë të lavdërojnë si hero e kë të turpërojnë si hajvan në radhët e tyre. Po si njeri që merrem me komunikimin dhe median, mund të them se çdo protestë e ka një fytyrë. Një organizator i mirë e i mençur kujdeset që ta zgjedhë vetë se kush do ta përfaqësojë. Një vajzë me lule në dorë, që sheh nga e ardhmja, apo një idiot me dërrasa në duar që thyen xhama e hidhet mbi vepra arti si taleban.
I lexova të gjitha arsyetimet. Policia i la të kalonin me qëllim, dhuna u provokua, këta janë njerëz që po humbasin shtëpitë, që po detyrohen të lënë atdheun etj.
Akoma më shumë për këto arsye këta njerëz nuk duhet ta sabotojnë kauzën nga shohin se u vjen shpëtimi.
Çdo burim në media, sidomos ato jashtë vendit, kanë vetëm pak sekonda hapësirë për të përshkruar një protestë. Pa e ditur, protestuesit janë në garë me njëri-tjetrin për t’u zgjedhur për atë videoclip, për atë titull kryesor, për mesazhin më të zëshëm që përcillet.
Është detyrë e drejtuesve dhe organizatorëve të protestës, e njerëzve të tyre që merren me median, me komunikimin, me organizimin dhe me lobimin e marrëdhëniet me jashtë që në mos të kenë kontroll, të paktën të kujdesen se kush do të jetë momenti më interesant i protestës.
Në këtë prizëm, protesta e sotme për mua ishte një humbje për Partinë Demokratike. Sado arsyetime me vend që të paraqesësh për dhunën, ajo lë një gjurmë që nuk është e arsyeshme por instiktive. Neveria ndaj shkatërrimtarit është e brendshme dhe është vështirë të mposhtet me shpjegime.
Sigurisht shkatërimi mund të jetë frymëzues. Kujtoni shkatërrimin e Murit të Berlinit, po duhet të pasqyrojë sentimentin e popullit. Çdo udhëheqës politik e organizator protestash duhet të sigurohet që revolta dhe zemërimi që shpreh janë të ngjashme dhe në të njëjtin nvel me atë të popullit. Ndryshe, protestuesi ngjan si një i dehur i bezdisshëm mes njerëzve që janë esëll.
Vëzhguesit e huaj, ambasadat, partnerët në proceset ndërkombëtare, në vend që të merren me mesazhin politik të opozitës detyrohen t’i shpenzojnë deklaratat e tyre për të dënuar dhunën. Një tufë militantësh, gjoja që e duan kauzën e tyre më shumë se kryesia e opozitës, ia merr kësaj të fundit vëmendjen e medias, të opinionit publik e të vëzhguesve.
Jo këta nuk janë “populli”. Populli nuk ka nevojë ta bëjë dhunën ditën që opozita bën thirrje për protestë. Këta nuk duhen lejuar të përfaqësojnë popullin. As opozitën. Basha e Kryemadhi duhet ta kuptojnë se sa ka interes çdo kundërshtar i tyre politik që pikërisht këta njerëz të dhunshëm të jenë përfaqësues të opozitës. Ata duhet t’i dënojnë këta njerëz e këto akte pa hezitim. Të sakrifikojnë disa trima për hir të shumicës. Toleranca ndaj tyre sot është tolerancë ndaj abuzimeve të pushtetit nesër. Shqiptarët duan më shumë sesa ndryshimi i ngjyrës së arrogancës.
E pashë dhunën e sotme të krahasohej me mungesën e saj në javë të tëra protestash të studentëve. Më duket e drejtë. Unë vetë besoj se dhuna ndaj sendeve materiale është thjesht mllef idiot. Nëse është pronë e shtetit, populli do ta paguajë nga xhepi që të ndreqet. Këto nuk janë çmim për ngjitje në pushtet. Janë mjeti më i mirë për të ftohur qytetarin e paangazhuar, protestuesin e papërkushtuar, demokratin e pavendosur.
Protestuesit që kanë të drejtën me vete, duhet të gjejnë kurajon e dinjitetit. Të besojnë te fuqia e të vërtetës. Te forca e shpresës. Ai që po vjen në pushtet nuk bën dhunë, sidomos jo kundër shtëpisë së tij të re.
Jam veçanërisht i zhgënjyer nga retorika e kryetares së LSI-së, një parti që theu tabunë e politikës bardhezi në Shqipëri, me mesazhet e seriozitetit dhe vetëpërmbajtjes. Pse një parti që gjeti më në fund vend në tryezën e të mëdhejve ka mall që të sillet si një forcë margjinale radikale nuk ka shumë kuptim për mua.
Nëse historia është mësuese, LSI duhet të kujtojë se çfarë e bëri që të arrinte atë që asnjë forcë e tretë nuk e kishte bërë dot në pluralizmin shqiptar. Kurse PD duhet të kujtojë se si PS humbi edhe bashkinë e Tiranës pas dhunës së 21 janarit 2011.
Lulzim Basha duhet të kujtojë fushatën e tij për kryetar të Tiranës që ishte një model vetëpërmbajtje e sjellje të kulturuar. Pa ulurima e ofendime. Njerëzit gjithmonë duan ndryshim. Unë mendoj se Basha e PD e kanë votën e ekstremistëve. Ajo që u mungon është besimi te njerëzit e kapur në mes të turmave militante. Ajo shumicë e heshtur që ka nevojë për shpresë dhe besim. Që qeshi me parrullat e bukura të studentëve dhe u dashurua pas pafajësisë së tyre.
Basha duhet të gjejë vitin 2005 të Sali Berishës, me hapjen e tij ndaj grupimeve politike, ndaj gazetarëve që e kishin luftuar, ndaj njerëzve që nuk kishin besim te ai. Duhet të ndërtojë një platformë që ofron shpresë e zgjidhje si Rilindja në 2013. Duhet të zbulojë një moment kthese në histori. Me dashuri e besim te njerëzit.
Shumica e heshtur është gati për të gjitha. Për një opozitë që sjell një kthesë serioze politike. Për një vazhdimësi të qeverisjes me të metat që ka në mungesë të një alternative ku nuk komandojnë ekstremistët, po edhe për një rifillim që do të linte jashtë të gjitha partitë e këtij çerekshekulli të fundit.
Mbi të gjitha, do të ishte ideale që qeveria e re të vijë në fuqi nga kutitë e votimit. Jo nga dhuna e rrugës. Një pushtet që vjen nga rruga do të mbetet gjithnjë peng i rrugës. Edi Ramën nuk e bëri kryeministër bojkotimi i Kuvendit, as çadrat e grevës e protestës, as sulmi ndaj kryeministrisë dhe veturat e djegura afër Piramidës. Po ai, e bashkë me të Shqipëria, po paguan edhe sot, refuzimin për të votuar tre ligje të mjera, në kohën kur ishte në opozitë dhe hyrja në BE ishte punë e pushtetit. Rolet ndërrohen në demokraci. Ky është i vetmi ngushëllim.
Historia e pluralizmit shqiptar është e shkurtër, por mjaftueshëm e gjatë, për Lulzim Bashën që të nxjerrë mësimet e duhura. Nuk e di për këtë vit, po në 2021, mbushet cikli 8-vjeçar që shqiptarët u lënë partive kryesore në qeveri. Kryetari i PD-së ka nevojë për njerëz të mençur e të qetë që do të ndërtojnë një platformë pune, jo për trima me hunj në dorë. Duke nisur nga e enjtja, vjen rasti i parë për të dëshmuar para shqiptarëve se vjen një epokë e re me këtë opozitë, jo versioni i ri blu i filmit rozë që denoncohet me patos në këtë protestë.

Comment

*