Millosheviqi vuante nga psikopatia skizofrenike dhe diabeti

Shërbimi i Sigurimit Shtetëror raportonte se bashkëshortja e Millosheviqit, Mirjana Markoviq, bënte “jetë private të pahijshme”

 

Beograd, 25 nëntor 2017 – Ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Milosheviq, i cili është cilësuar si “Kasapi i Ballkanit”, vuante nga skizofrenia dhe diabeti.

Kështu thuhet në një dokument sekret të vitit 1990, të nënshkruar nga sekretari (ministri) i atëhershëm i Punëve të Brendshme i Serbisë, Radmilo Bodganoviq, i cili i përgjigjej një kërkese të Presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Borisav Joviq.

Bogdanoviq raportonte se nga dokumentacioni mjekësor i Millosheviq shihej se ai vuante nga disa sëmundje, rej të cilave ishin më të theksuara psikopatia skizofrenike dhe diabeti.

“Në bazë të dokumentacionit mjekësor dhe veprimeve vëzhguese që i kanë kryer punëtorët e Sekretariatit Republikan të Punëve të Brendshme të Serbisë, është konstatuar se shoku Millosheviq vuan nga disa sëmundje, prej të cilave më të theksuara janë dy: psichonis schiophienoca 295 (psikopat skizofrenik) dhe diabetes urlitus 250.9 (sëmundja e sheqerit). Mjekët e vlerësojnë gjendjen shëndetësore të shokut Millosheviq si mjaft të rëndë, ndërsa aftësinë për punë mjaft të reduktuar”, thuhet në raportin e Bogdanoviqit.

Raporti fliste edhe për jetën private të bashkëshortes së Millosheviqit, Mirjana Markoviq. Aty thuhet se ajo bënte “jetë të pahijshme” dhe se për këtë ishte njoftuar edhe Millosheviqi.

“Shoqja Mirjana Markoviq gjendet në evidencën e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, ndërsa përmes verimeve operative ky shërbim ka siguruar informacion se shoqja Markoviq Mirjana bën jetë private të pahijshme, për çka ky shërbim e ka njoftuar edhe shokun Sllobodan Millosheviq’, thuhet në raportin e ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme të Serbisë, Radmilo Bogdanoviq.

Raporti shoqërohej me dokumentacionin mjekësor dhe me shënime zyrtare.

Ky dokument është publikuar nga Zoran Zhivkoviq, ish-kryeministër i Serbisë në periudhën 2003-2004, i cili ka thënë se nuk dyshon që dokumenti nuk është autentik.

“Unë nuk kam asnjë arsye të dyshoj në besueshmërinë (e dokumentit). Pse dikush tani do të kishte motiv të shpikte një korrespondencë në mes të Joviqit e Bogdanoviqit për Millosheviqin. Nuk pres që Joviqi ta konfiromojë vërtetësinë e korrespondencës dhe të pranojë se ai po kërkonte një pasqyrë mjekësore të Millosheviqit”, ka thënë Zhivkoviq për gazetën beogradase “Kurir”.

Millosheviqi ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Ai po gjykohej për krimet e luftës të kryera në Bosnjë dhe në Kosovë, gjatë viteve ‘90.

Babai i Millosheviq, prift i Kishën Ortodokse Serbe, kishte bërë vetëvrasje në vitin 1962.

Nëna e Millosheviqit, Stanislava, mësuese, ishte vetëvarur në vitin 1974.

(r.m.)

One Response to “Millosheviqi vuante nga psikopatia skizofrenike dhe diabeti”

Read below or add a comment...

  1. Veterinari says:

    Kjo ka qene e ditur edhe pa asnje raport mjekesor. Ushtria e RSFJ ishte iniciatori i luftes , dhe iu ka dashte nje shizofren sikur SM, per te bere ate qka kane bere.

Comment

*