Minatorët në Shqipëri dhe Kosovë duan barazi dhe vëmendje nga qeveritë

Minatorët sindikalistë të Kosovës ishin në Kongresin e 7-të të Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë

Denion Ndrenika

Trepça është në mbamendjen e Shqipërisë për përballjen me pushtetin represiv serb të minatorëve të vitit 1989.

Mirëpo problemet e minatorëve të Trepçes rrallë janë shpërfaqur në opinionin e Shqipërisë, përveçse për karakterin politik dhe më tej të privatizimit.

Shyqri Sadiku nga Sindikata e Minatorëve të Trepçes u tregoi homologëve të Shqipërisë dhe ndërkombëtarë se çfarë kushtesh mjerane dhe sa humbje jete ka në minierat e Kosovës.

Shyqri Sadiku mori pjesë në Kongresin e Shtatë (7-të) të Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë, pjesë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë:

“Për vitet 2014-2017 i kemi 21 minatorë të vdekur në marrëdhënie pune për shkak të kushteve të rënda të punës dhe moshës së shtyrë. Në Kosovë në një farë forme mundemi të themi që janë minatorët më të diskriminuar në rajon”.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatava të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja:

“Në 50 vjetët që kanë kaluar dhe në këto vite kanë humbur jetën rreth 468 minatorë, plus atyre minatorëve që nuk kanë mundur të dalin nga nëntoka. Do të jetë vitit i realizimit të statusit të minatorit, që duhet paguar për pensionin e pleqërisë barabartë me Forcat Ajrore”.

Në kongresin dyditor të zhvilluar në Elbasan morën pjesë sindikalistë minatorë nga vende të ndryshme të botës, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Comment

*