Ministër, dorëhiqu!

Bekim Kupina

Në 10 vjetëshin e fundit, pothuajse çdo 2-3 vjet, është kërkuar dorëheqja e rektorit të UP-së, por asnjëherë e ndonjë ministri të arsimit. Kësaj here, mbase e njëjta gjë duhet të ndodhë me ministrin e arsimit. Pse duhet të qëndrojë edhe më tej në krye të këtij dikasteri njeriu mbi të cilin rëndon tashmë faji që Kosova (Agjencia e Akreditimit) të përjashtohet nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë.

Është paradoksale heshtja e studentëve, para se gjithash, pastaj stafit akademik (një grupi simbolik që nganjëherë përpiqet të bëj shamatë në rrjete sociale), pastaj organizatave politike studentore, organizatave të shoqërisë civile dhe krejt në fund edhe të opozitës parlamentare. Gjithsesi që ka edhe më keq, por shoqëria kosovare duhet heqë dorë nga analogjia me të keqen më të madhe. Pra, ka edhe më mirë, ndaj synimi duhet të jetë ky.

Ministër i Nismës së Arsimit, dorëhiqu edhe nëse s`ta kërkon kush. Jo për tjetër, por për shkak të një standardi demokratik që njihet me përkufizimin ‘qeverisje e mirë’. Dhe në këtë pikë ju keni dështuar tërësisht me një seri veprimesh të ndërmarra së fundi në sektorin e arsimit: që nga ndërhyrja në universitet (Udhëzimi administrativ për parimet e njohjes së platoformave dhe revistave ndërkombëtare me recension publikim në revista shkencore), emërimet në Këshillin Drejtues, e deri te Agjencia e Akreditimit që është kapaku i ndërhyrjeve politike.

Përjashtimi nga “European Quality Assurance Register for Higher Education” (EQAR), vjen si ‘dhuratë’ në 48 vjetorin e themelimit të institucionit të parë publik të arsimit të lartë – Universitetit të Prishtinës.

Natyrisht, është pak e besueshme se ju do të dorëhiqeni, por teksa ju do të mund të përballeni vetëm me ‘pasoja’ nga diskursi verbal për disa ditë, universitetet, studentët dhe stafi akademik do t`i vuajnë pasojat direkte. Ata do të jenë ‘non grata’ në sistemin arsimor evropian, e ju do të vazhdoni të mendoni se po bëni gjënë e duhur për arsimin!

Comment

*