Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë për negociatat me Shqipërinë e Maqdoninë e Veriut

Bruksel, 14 tetor 2019 – Sot zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së, ku do të diskutohet edhe për hapjen ose jo të negociatave të BE-së me Shqipërisn dhe Maqedoninë e Veriut.

Mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE-së mbahet pak ditë para se Këshilli Europian të marrë vendim lidhur me këto dy vende.

E gjithë vëmendja është përqendruar te Franca, pasi Bundestagu gjerman hapi dritën jeshile për hapjen e negociatave më Shqipërinë dhe Maqrdoninë e Veriut. Presidenti francrz, Emmanuel Macron, njihet për qëndrimet e tij për zgjerim të kujdesshëm të BE-së, gjë që  po bëhet pengesa kryesore që të dyja vendet të hedhin hapin vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Nga Makron apo nga ministrat francezë që të pozicionohen kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur një deklaratë të prerë, por në mediat ndërkombëtare është folur për skepticizëm të vazhdueshëm të Parisit.

Në pozicion pritës këto ditë të fundit kanë qëndruar Danimarka dhe Holanda, dy vende që më herët kanë dalë hapur kundër hapjes së negociatave, shkruan gazeta “Panorama”.

Në rastin më pozitiv, për Holandën ka qenë një qëndrim ndarës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke hapur dritën jeshile për këta të fundit dhe “ngelur në klasë” Tiranën zyrtare.

Por insistimi i Gjermanisë dhe Kancelares Merkel personalisht për një “Po” si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut, ka bërë që këto dy vende të hezitojnë të japin veton dhe duket se deri në orën e fundit do të presin Francën.

Në varësi të vendit që do të marrë Makron, do të ketë në krahë edhe këto dy vende, të cilat paraprakisht janë për një “Jo”, por nëse Franca do të thoshte “Po”, edhe ato do t’i bashkoheshin këtij votimi pozitiv. Çështja do të trajtohet fillimisht në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, për të kaluar më pas në Këshillin Europian.

(r.m.)

Comment

*