Ministri i Diasporës së Kosovës z.Valon Murati midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life”, New York

Jam shqiptar, jam Kosovar,
Atdheun e kam të parë,
Jam shqiptar, jam Kosovar,
Kuq e zi më njeh bota mbarë!

 

Nga Keze Kozeta Zylo

Në një ditë të bukur shkurti me diell qe te lëbyrte sytë dhe me qiell blu, bash një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ministri i Diasporës së Kosovës z.Valon Murati erdhi midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island, New York. Ishulli i bukur Staten Island kontaktin e parë me europianët e ka në vitin 1520 nga exploruesi italian Giovanni De Verrazzano, i cili në emër të Mbretërisë së Francës Francis I, lundroi nëpër Narrows në anijen La Dauphinesë. Per nder të tij ura e famshme Verrazano Bridge ka marrë emrin, një urë e vetme në botë që qëndron në baze të forcës se tërheqjes dhe që lidh Brooklyn me Staten Island.
Kur themeluesit, mësuesit, prindërit dhe nxënësit dëgjuan se do të vinte midis tyre Ministri I Diasporës së Kosovës, u gëzuan dhe u munduan që ta prisnin sa më mirë në klasë këtë mik prej Kosove dhe të gjithë shqiptarëve në Diasporë, për më tepër që vinte një ditë pas shpalljes se Pavaresise së Kosoves në datën 18 shkurt, 2017 ku gjithë populli shqiptar feston dhe uron njeri tjetrin per Pavarësinë e Kosovës dhe shpreson bashkimin e Kombit në një ditë jo të largët.
Ardhja e Minsitrit të Diasporës z.Murati u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë nxënësit dhe mëuesit që zhvillojnë mësimin shqip në mjediset e shkollës publike amerikane Ps:9 ku më duhet t’i falënderoj publikisht për bashkëpunimin e ngushtë plot kulturë dhe profesionalizëm që kemi me drejtorinë dhe punonjësit e shërbimit pranë kësaj shkolle.
Mjediset e klasës shkëlqenin nga flamujtë që ishin varur në mur përballë nxënësve, si Flamuri kombëtar kuq e zi, Flamuri i Kosovës dhe Flamuri Amerikan.
Të gjithë nxënësit mirëseardhjen për mikun prej Kosove e mirëpritën duke thënë një zëri këtë fragment përshëndetje përgatitur nga mësuesja e dashur Entela. Nxënësit njëzëri thanë:
Gëzuar Festën e Pavarësisë Kosovë, nga nxënësit e Shkollë Shqipe Alba Life, Staten Island, New York.
Mirë se erdhe Ministri I Diasporës së Kosovës, z.Valon Murati midis nesh!
Nxënësi i talentuar Arsi Muda vazhdoi:
Jam shqiptar, jam Kosovar/ Atdheun e kam të pare/ Jam shqiptar, jam Kosovar/ Kuq e zi më njeh bota mbarë!
Ndërkohë udhëhoqi nxënësit për të vazhduar bashkë me të recitimin shqip.
Përshëndetja e tyre u mirëprit plot emocion nga Ministri i Diasporës i shoqëruar nga shefi i kabinetit z.Kushtrim Sheremeti, dhe këshilltari i kabinetit z.Agim Kuleta dhe ekipi që e shoqëronte në këtë ditë festive dhe Shqip në shkollën publike amerikane në ishullin e bukur të Staten Island, New York. Z.Qemal Zylo, themeluesi i shkollës Shqipe “Alba life” shkollë që operon në katër lagje të Nju Jorkut si në Staten Island, Brooklyn, Manhattan dhe së fundi në Queens i uroi mirëseardhjen plot respekt dhe dashuri z.Valon Murati në emër të nxënësve, prindërve, mësuesve dhe gjithë stafit që punon pranë kësaj shkolle. Ardhja juaj na nderon dhe na frymëzon për të punuar pa u ndalur në misionin patrotik për t’ju mësuar femijeve gjuhën shqipe. Shpreh mirënjohjen e pakufishme që gjithmonë shteti i Kosovës ka qenë pranë qysh në hapat e para të hapjes së shkollave shqipe. Ky është një bashkëpunim i frytshëm dhe shpresoj që shteti amë Shqipëria ka se ç’të mësojë prej përvojës suaj edhe pse jeni shteti më i ri në botë. Pas përshëndetjes së mirëseardhjes nga z.Qemal Zylo fjalën e ka marrë Ministri i Diasporës z.Valon Murati i cili përshëndeti me dashuri dhe plot urime nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” të cilët e dëgjonin me kërshëri dhe plot respekt. Z.Murati tha se unë ju përshëndes në emrin e qeverisë së Kosovës dhe të ministrisë së Diasporës për punën e bukur, patriotike që bëni ju mësues dhe nxënës për të mos harruar Gjuhën tonë të ëmbël Shqipe. Ne nuk duhet t’i harrojmë rrënjët tona, rrënjët e të parëve nga vimë dhe ju këtë po e kryeni më së miri. Ministria e Diasporës ka hapur programe speciale gjate verës për mësimin e Gjuhës Shqipe dhe seminare kualifikimi me mësuesit në Diasporë. Ne duhet të jemi të bashkuar sepse së bashku na bashkon Gjuha Shqipe pashaporta e identitetit tonë. Z.Murati në emër të Ministrisë së Diasporës i dhuroi në shenjë simbolike Abetaren e unifikuar z.Qemal Zylo i cili më vonë do të tërheq disa libra pranë konsullatës së përgjithshme të Kosovës në Manhattan. Fjala e ministrit të Diasporës u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë nxënësit. Më vonë z.Murati iu drejtua nxënësve se kush do të vijë të na recitojë vjersha shqip?
Nxënësit ngritën duartë për të recituar shqip dhe ata ishin:
Nxënësja Dea Kerliu recitoi vjershën Skënderbeu, Rilind Bardhi nga Naim Frashëri, Lisa Pilku, Gjuha Shqipe, Nxenesja Eliza Karpuzi recitoi për Atdheun, Lisa Pilku Gjuha jonë, Elira Xhemali nga thëniet e Nënës Terezë, Arsi Muda, Jam shqiptar, jam dibran, Dea Watkins Abetarja dhe Zogu etj.
Z.Valon Murati u përcoll nga nxënësit me dashuri dhe me mbresa ë pashlyeshme!
Pas largimit nga klasa Ministri i Diasporës dha një intervistë për TV “Alba Life” në studion e krijuar enkas në një klasë tjetër nga themeluesi dhe producenti i Televizionit Qemal Zylo. Z.Murati tha se hapja e shkollave shqipe është në vëmendjen dhe mbështetjen e veçantë të Ministrisë së Diasporës. Ndërkohë kanë vite që kanë krijuar Database për regjistrimin e Diasporës që do të jetë një proces i gjatë, por do të kryhet. Gjatë bisedës me z.Murati ajo qe më ngeli në mendje më shumë ishte kur e pyeta si: Një vajzë me emrin Dea Watkins më pyeti se kur të vijë xhaxhi ministri pyete se kush ja ka vënë emrin Valon? Ministri duke qeshur tha se emrin Valon ma kanë vendosur prindërit me kuptim të plotë si: Valon Flamuri i Fitores, pasi dhe vëllai tjetër dhe motra i kanë emrat Flamur dhe Fitore. Ministri i Diasporës z.Murati qysh në rininë e hershme ka qenë në demonstratat për Kosovën dhe ka luftuar deri në fund për Pavarësinë e saj.
Ai është politikan dhe që nga dhjetori 2014 Ministër i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Që nga viti 1993 ka qenë aktiv në jetën politike në Kosovë, në krahun e lëvizjes ilegale duke qenë anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Duke qenë pjesë e LKÇK-së u angazhua në propagandimin e luftës së armatosur si e vetmja rrugë për Lirinë e Kosovës si dhe në krijimin e strukturave që do ta organizonin këtë luftë.
Ka botuar shkrime me karakter akademik brenda dhe jashtë Kosovës në lëmin e të drejtave të njeriut, konflikteve etnike, çështjeve të identitetit, globalizmit etj. Ka marrë pjesë në shumë projekte, konferenca dhe seminare të mbajtura në Kosovë dhe jashtë saj.
Dita e shtunë për nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” ishte një ditë mbresëlënëse dhe e bukur pasi takimet me vëllezërit dhe motrat e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë trevave shqiptare janë frymëzuese dhe të paharrueshme veçanërisht në kujtesën e fëmijëve që janë e ardhmja e Diasporës dhe e Kombit.
Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me kameraman z.Todd Watkins dhe fotograf z.Shpëtim Bardhi.

Staten Island, New York
18 shkurt, 2017

Kosova9 -6 Kosova9 -10 Kosova9 -15 Kosova9 -17 Kosova9 -19 Kosova9 -24 Kosova9 -25

Comment

*