Ministri Hamza në SHBA: Rritja ekonomike mbetet prioritet i Kosovës

Uashington, 14 prill 2019 – Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, i cili gjendet në një vizitë në SHBA, ka thënë se prioritet i Kosovës mbetet rritja ekonomike.

Në panelin ministror për politika fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Hamza ka thënë se rritja e nivelit të ulët të stokut të kapitalit publik ka qenë prioritet në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.

“Duke pasur parasysh këtë prioritet, buxheti Kosovës për investime kapitale është mjaft i lartë, si përqindje e Bruto Produktit Vendor, por edhe si total i shpenzimeve. Për më tepër, buxheti për investime kapitale sillet rreth 35% e shpenzimeve të përgjithshme publike, me një normë implementimi prej rreth 90 për qind. Falë këtyre investimeve, Kosova ka arritur të ketë një infrastrukturë bazike, duke rritur stokun e kapitalit publik në 50%, që është shumë pak më i ulët se sa në shtetet e rajonit, ku sillet rreth 60%, plus duke pasur parasysh që Kosova është shteti më i ri në Ballkan.”, ka thënë ai.

Hamza ka thënë një fokus tjetër i Kosovës janë edhe investimet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, në arsim, në shëndetësi dhe në energji.

Sipas tij, Kosova, si shtet i ri, ka nevoja të shumta për financime, por edhe për rritjen e normës së zhvillimit ekonomik.

“Mënyra e financimit në Kosovë të investimeve publike, të kapitalit, përveç që është bërë dhe bëhet në masë të madhe nga buxheti i shtetit, Kosova ka edhe bashkëpunim shumë të mirë me organizata të shumta ndërkombëtare financiare, të cilat marrin pjesë në investime kapitale. Kjo na ndihmon të arrijmë qëllimin për rritjen ekonomike dhe për rezultate shumë pozitive sociale”, ka thënë ai.

Në panelin ministror për politika fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar u prezantuan edhe rezultatet e Japonisë, Indonezisë e Kanadasë si edhe të Bashkimit Evropian. (r.m.)

Comment

*