Ministri Hoti prezanton masat e Pakos Fiskale 2.0

Prishtinë, 17 korrik 2017 – Ministri i Financave në detyrë, Avdullah Hoti, ka prezantuar Pakon Fiskale 2.0, e cila është aprovuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë.

Në një konferencë pë medie, Hoti ka thënë se masat e pakos fiskale 2.0 janë propozuar pas konsultimeve me komunitetin e biznesit dhe identifikimit të problemeve dhe vështirësive të këtij komuniteti.

“Gjatë takimeve me komunitetin e bizneseve, ne jemi informuar drejtpërdrejt për efektet pozitive nga implementimi i reformave fiskale të vitit 2015, si edhe për sfidat e tyre sa i përket kushteve të të bërit biznes”, ka thënë ai.

“Në fund të vitit 2016 ne kemi arritur që të konceptojmë një draft të politikave të reja fiskale – Pakon Fiskale 2.0. Më 14 dhjetor 2016, këtu në Qeveri, e kemi aprovuar në parim nismën për masat e përfshira në këtë pako. Me këtë rast është hapur rruga për zhvillimin e fazës së diskutimeve publike me komunitetin e bizneseve dhe palët tjera të interesit për Pakon Fiskale 2.0. Hapja e fazës së diskutimeve publike është shënuar me takimin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, duke vazhduar më pas me diskutimet e hapura publike me përfaqësuesit e bizneseve, në fokus të të cilit ka qenë kompleksiteti i disa çështjeve, me qëllim të sqarimit në detaje të propozimeve nga përfaqësuesit e bizneseve”, ka shtuar Hoti.

Ai ka theksuar se propozimet për politikat e reja fiskale janë prezantuar edhe në Konferencën “Ambienti i Ambientit 2017”, si edhe në takimet tjera, të organizuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nëpër rajonet e Gjilanit, Prizrenit, Pejës, Istogut dhe Mitrovicës. (r.m.)

Comment

*