Ministri i Jashtëm i Malit të Zi: Demarkacioni me Kosovën është temë e mbyllur për ne

Podgoricë, 13 shtator 2017 – Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq, ka thënë se tema e demarkacionit me Kosovën është e mbyllur për Podgoricën.

Darmanoviq ka thënë se Podgorica beson në kapacitetin e institucioneve dhe se do të presë me durim zgjidhjen e kufirit me Kosovën.

“Ne kemi raporte shumë të mira me Kosovën dhe s’kemi dyshim se kështu do të vazhdojmë. Por. për Malin e Zi kjo çështje është mbyllur dhe nuk do t’i kthehemi më. Besojmë në kapacitetin demokratik të institucioneve të Kosovës dhe me durim po presim zgjidhjen përfundimtare të demarkacionit me Kosovën” ka thënë Darmanoviq, në një debat me qytetarë, transmeton Gazeta “Express”.

Ai ka thënë se Mali i Zi, nuk mund të ndikojë në asnjë vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me demarkacionin, përfshirë edhe atë për shkarkimin e komisionit shtetëror për shënimin dhe mirëmbjatjen e kufirit.

Reagimet nga Mali i Zi vijnë pas vendimit të Kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e këtij komisioni, i cili kishte punuar bashkë me komisionin përkatës të Malit të Zi për shënimin e vijës së kufirit.

Ministri Darmanoviq ka pohuar se Mali i Zi i ka disa çështje të hapura me Kroacinë, si çështjen e Prevllakës, por, sipas tij, një marrëveshje e përkohshme midis dy vendeve është duke funksionuar shumë mirë.

Darmanoviq nuk e ka përjashtuar trajtimin e kontestit me Kroacinë edhe në mekanizma të së drejtës ndërkombëtare.

“Ne duam të zgjidhim këtë me rrugë bilaterale, nëse nuk shkojmë në mekanizma ndërkombëtarë që janë të njohur. Duhet t’u besojmë mekanizmave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo çështje nuk do t’i cenojë raportet tona”, ka thënë Darmanoviq, duke folur për kotekstin me Kroacinë. (r.m.)

Comment

*