Ministri Ismajli diskuton idenë për një konferencë të donatorëve për Kosovën

Prishtinë, 06 gusht 2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomnik të Kosovës, Fadil Ismajli, ka paraqitur idenë për organizimin e një koference ndërkombëtare të donatorëve për Kosovën.

Gjatë takimit që ka zhvilluar të martën, në Prishtinë, me zyrtarët e ambasadës amerikane të ngarkuar me çështje të ekonomisë, Todd Christensen dhe Cavan Fabris, ai ka thënë se organizimi i një conference të tillë do të ishte me shumë interes për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Sipas ministrit Ismajli, konferenca donatorëve do të mblidhte investitorët e jashtëm, të cilët do të ndihmonin edhe identifikimin e fushave me potencial më të madh për investime të huaja në Kosovë, të cilat do të ndikonin në mënyrë direkte në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Dy zyrtarët e ambasadës amerikane në Prishtinë, Christensen e Fabris, kanë deklaruar gatishmërinë e Qeverisë amerikane për të mbështetur projektet që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ata kanë përmendur edhe fushat që mund të zgjojnë interesimin e investitorëve të huaj.

Ministri Ismajli i ka informuar zyrtarët e ambasadës amerikane edhe për ecuritë ekonomike në vend dhe për projektet që janë në zhvillim e sipër. Ai ka vlerësuar ndihmën e SHBA-së për Kosovën, në të gjitha fushat. (R.M.)

Comment

*