Ministri Klosi paralajmëron masa të reja mbështetëse për agroturizmin

Tiranë, 12 prill 2018 – Ministria e Turizmit dhe Mjedisit po përgatit një paketë të re fiskale dhe politika të reja mbështetëse për agroturizmin.

Ministri Blendi Klosi e ka publikuar këtë informacion në një tryezë të rrumbullakët me sipërmarrësit në fushën e turizmit, të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), ku mori pjesë edhe shefja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Klosi ka thënë se sfida e këtij sezoni turistik është e madhe për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit pasi një numër më i madh turistësh kërkon më shumë përgjegjësi dhe më shumë cilësi.

“Në strategjinë që ne kemi përgatitur tashmë, pa dyshim, 4 janë polet që ne duam të zhvillojmë përsa i përket turizmit: Tirana – si kryeqytet, Alpet – si një destinacion unik i zhvillimit të turizmit në Shqipëri, Marina e bregdetit Adriatik – si një mundësi e artë e zhvillimit të turizmit masiv dhe Jugu i Ri – si një pol i cili mund të mbajë mbi vete zhvillimin e turizmit elitar”, ka thënë ai, transmeton abcnews.

Sipas Klosit, edhe politikat e reja për nxitjen e agroturizmit janë një mundësi e artë për të zhvilluar turizmin dhe për gtë ndihmuar rritjen e kapaciteteve turistike për 100 për qind.

Ai ka theksuar se përpjekja për zhvillimin e turizmit nuk mund të jetë e veçuar nga përpjekja për një mjedis të pastër, prandaj ka kërkuar përfshirjen e bizneseve në aksionin më të ri të pastrimit të ambientit “Java e Tokës”, për të siguruar bregdet dhe lumenj të pastër në kuadër të sezonit të ri turistik.

Duke folur për projektin “Smile Albania”, ministri Klosi ka thënë se projekti i punësimit të 1 mijë të rinjve do të ofrojë në çdo cep të Shqipërisë, në çdo port dhe aeroport, në çdo pikë të zhvillimit turistik promovim të arsyeve pse Shqipëria do të duhet të buzëqeshë gjatë sezonit turistik.

Kryesuesja e misionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ka tërhequr vërejtjen për disa nga problemet me të cilat përballet turizmi shqiptar. Ajo ka thënë se Shqipëria, ndonëse kufizohet me shtete që kanë turizëm të zhvilluar, i ka të gjitha mundësitë që të shndërrohet në një destinacion europian.

Vlahutin dhe drejtori i BERZH kanë premtuar mbështetjen e tyre për bizneset që synojnë modele autentike të turizmit në Shqipëri. (r.m.)

Comment

*