Ministri Rikallo akuzohet nga fqinjët e tij për keqtrajtim të shqiptarëve gjatë luftës

Prishtinë, 13 shtator 2017 – Banorë të një ndërtese në kompleksin “Kurrizi” në lagjen Dardania të Prishtinës drejtojnë akuza të rënda në adresë të ministrit të sapoemëruar të Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, raporton KTV.

Ata thonë se, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, fqinji i tyre, Rikallo, i ka keqtrajtuar dhe torturuar shumë qytetarë shqiptarë.

Fexhrije Beqiri, banore e kësaj ndërtese, ndonëse kanë kaluar gati dy dekada prej atëherë, thotë se e kujton qartë fytyrën e Nenad Rikallos.

Familja Beqiri jeton në katin e shtatë të ndërtesës, qysh prej ndërtimit të saj. Në katin e njëjtë, në banesën me numër 45, ka jetuar edhe Nenad Rikallo.

Zonja Beqiri kujton se Rikallon, atëherë djalë i ri, për keqtrajtimin e banorëve shqiptarë, sidomos të rinjëve.

Djali i saj, Festimi, thotë se i ka të freskëta dy skena të keqtrajtimit të shqiptarëve nga Rikallo. Në njërën prej tyre ka qenë protagonist edhe babai i tij i ndjerë, të cilit Nenad Rikallo ia kishte vënë kallashnikon në fyt.

“Nenadi ka qenë pjesëtar i ‘Beretave të Kuqe’, paramilitar, bashkë me vëllain e tij, Goranin. Babi i tyre, Radisavi, ka qenë oficer shumë i lartë i ushtrisë serbe për Kosovë”, ka thënë Festimi.

Ai ka kujtuar se si Nenadi i ka keqtrajtuar dy studentë shqiptarë që banonin në një banesë aty pranë.

“Afër banesës së Nenadit është një banesë, ku kanë banuar dy studentë. Ata kanë qenë vëlla e motër. Ai (Nenadi) kishte qenë duke i torturuar. Unë kam dalë dhe e kam thirrut babain tim të ndjerë. I kam thënë: ‘djali i Radisavit paska shkuar te këta studentët’. Kur kemi shkuar ne, Nenadi ka qenë te dera (e studentëve), mbështetur në pjesën e majtë, dhe i kishte pasur letërnjoftimet e tyre në dorë. Kur iu ka drejtuar prindi im, ai i ka thënë babës sim ‘këta janë UÇK’’. Baba im i ka thënë; ‘mos i nguc se këta nuk janë UÇK, këta janë studentë’’, ka treguar Festim Beqiri për KTV.

Ai e ka treguar se në bisedë e sipër Nenadi ishte egërsuar shumë, dhe babës së tij ia kishte vënë tytën e kalashnikovit në fyt.

Festimi ka kujtuar gjithashtu se si Rikallo, i veshur me uniformë të kamufluar, e ka rrahur brutalisht një të ri shqiptar, në korridorin e banesës së tyre.

Në secilin kat të kësaj ndërtese ka banorë që e kujtojnë tmerrin që e kishin përjetuar nga gjithë familja Rikallo.

Ata që pranojnë të flasin kujtojnë se ministri i sapoemëruar ka lëvizur gjithmonë me uniformë ushtarake dhe i armatosur.

“Gjatë kohës së luftës, unë shkoja te furra ‘Arena’ për të blerë bukë. Ai vinte i veshur me rroba ushtarake, me kapuç të kuq, me kallash në krahë, dhe hynte në furrë, pa rend. Vetëm po ta shikonte dikush, ai e qëllonte menjëherë me shuplakë, duke i thënë ‘sta me gledas?’ (çka po më shikon?) dhe e shante serbisht.

Banorët e ndërtesës ku ka banuar familja Rikallo thonë se janë shokuar kur e kanë parë Nenad Rikallon në rreshtin e ministrave të Qeverisë së Kosovës dhe kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të tij.

Nenad Rikallo është pjesë e Listës Serbe. Para emërimit në pozitën e ministrit, ai ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nenad Rikallo nuk u është përgjigjur thirrjeve të KTV-së për koment ndaj akuzave të drejtuar ndaj tij. (r.m.)

Comment

*