Ministri serb e madhon përsëri kriminelin e luftës, e sfidon ambasadorin amerikan

Beograd, 12 tetor 2017 – Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka madhuar përsëri figurën e ish-gjeneralit të ushtrisë serbe, Vlladimir Llazareviq, i cili është dënuar për krime lufte.

Vulin i ka thënë sot Televizionit proqeveritar “Pink” se “gjenerali Llazareviq është njeri i nderuar e trim dhe nuk ka ushtri në botë që do të hiqte dorë nga ai”.

“Është e vërtetë se jam krenar me luftën e popullit tim, është e vërtetë se jam kremar me gjeneralin Llazareviq, është e vërtetë se jam krenarë me të gjithë ata njerëz që e kanë mbrojtur këtë vend dhe është e vërtetë se nuk turpërohem për ta”, është shprehur Vulin, citon mediumi serb N1.

Kjo është hera e dytë që Vulin e madhon figurën e ish-gjeneralit Llazareviq. Herën e parë e kishte bërë këtë para disa ditësh, në një tubim në qytetin e Nishit.

Por, këtë herë, ministri serb i mbrojtjes e ka bërë këtë si reagim ndaj një deklarate kritike të ambasadorit amerikan në Serbi, Kyle Scott.

Ambasadori amerikan, në rrjetin Twitter, duke iu referuar deklaratës së ministrit Vulin lidhur me ish-gjenralin Llazareviq,  ka tërhequr vërejtjen se muajt e përpjekjeve për përmirësimin e imazhit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara “mund të shkatërrohen me një deklaratë të vetme”.

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Serbisë, Vladimir Llazareviq, është dënuar me 14 vjet burg nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës, për mizoritë e kryera nga forcat e ushtrisë serbe në Kosovë në vitin 1999. (r.m.)

Comment

*