Ministria e Diasporës neglizhoi të konsultonte nismat e reja ligjore me mërgatën në Amerikë

Jackie DeFusco, Antonio Çakshiri dhe Denis Tahiri

Ekrem Bardha u largua nga Shqipëria komuniste në rininë e tij, në qershor të vitit 1953, dhe përfundoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte pikërisht atje, në Detroit, në zonën e Miçiganit, ku ndërtoi një pasuri të tërë duke marrë të drejtën e hapjes së 18 dyqaneve fast food të McDonalds.

Por Bardha nuk e harroi kurrë vendin e tij të origjinës. Në Shtetet e Bashkuara Bardha shërbeu si avokat për Shqipërinë mes njerëzve të fuqishëm në Uashington dhe luajti një rol kyç në ndërgjegjësimin e politikanëve amerikane për situatën e vështirë të shqiptarëve etnikë në Kosovë, e cila gjendej në atë kohë nën atë federatë që quhej Jugosllavi.

Pas rënies së komunizmit ai u kthye në vitin 1990 së bashku me vajzën e tij, Donikën, për të hapur një nga restorantet e para private të cilësisë së lartë në Tiranë, dhe më pas me krijimin dhe kultivimin e një vreshti të suksesshëm.

“Ai gjithmonë përpiqet të përmirësojë imazhin e vendit… të bindë njerëzit që të kthehen pas dhe të investojnë”, – thotë Donika.

Pavarësisht përpjekjeve të tyre, familja Bardha është ende përjashtimi i rregullit.

Sot, një e treta e popullatës shqiptare të vitit 1991 jeton jashtë kufijve të vendit, duke formuar një nga diasporat më të mëdha të një vendi europian.

Por vetëm një fraksion i vogël i shqiptarëve ka vendosur që të përfshihet në marrëdhënie ekonomike me vendin e origjinës, pavarësisht se disa studime tregojnë se kjo do të kishte një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Është si trupi i njeriut. Nëse ti po përdor vetëm 75 për qind të tij, atëherë nuk do të funksionosh kurrë me kapacitet të plotë, 100 për qind”, – thotë Mark Kosmo i Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane të Masaçusetsit, e vendosur në SHBA.

Qeveria shqiptare së fundmi ka bërë përpjekjen e saj të parë të koordinuar për të shfrytëzuar kapitalin njerëzor dhe financiar të diasporës, duke përfshirë krijimin e Ministrisë së Diasporës në shtator të vitit 2017, e ngarkuar me mbikëqyrjen e këtij projekti.

Por një investigim njëmujor i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Qendrës së Nju Inglandit për Raportim Hulumtues (New England Center for Investigative Reporting), e vendosur në SHBA, ka zbuluar se ministria, gjatë procesit së përpilimit të politikave, ka neglizhuar në mënyrë rutinë konsultimin e vijueshëm dhe të frytshëm me vetë popullatën që supozohet të përfaqësojë.
 

Bashkëpunimi për legjislacionin e ri , shumë pak dhe shumë vonë

“Është e padrejtë të bësh politika mbi diasporën pa asnjë nga diasporat (referuar diasporave të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë), të pranishme në tavolinë”, – thotë Liza Gashi, bashkëthemeluese e Germin-it, një organizate jofitimprurëse e diasporës në Prishtinë, Kosovë.

Gashi thotë se organizata kërkon të thjeshtojë dialogun mes komunitetit global shqiptar duke përdorur një regjistër virtual të organizatave dhe task forcave së diasporës.

“Qëllimi, – thotë Gashi, – është të krijojmë një kanal komunikimi me dy drejtime, në vend të atij me një drejtim që kemi pasur në të kaluarën”.

Pas një konference triditore në Prishtinë në fund të muajit maj, Germin publikoi një listë gjithëpërfshirëse rekomandimesh për krijimin e një këshilli konsultues.

Gashi thotë se dokumenti ishte rezultat i një prej shtatë task force-ave që kanë shkëmbyer rregullisht ide që nga shtatori i vitit 2017.

Propozimi projekton këshillin si një trup vendimmarrës, të pavarur nga qeveria, i cili është i caktuar përkohësisht nga task forca e organizatës Germin në bashkëpunim me ministritë e diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, por të zgjedhur përfundimisht vetëm nga diaspora globale shqiptare.

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ndoqi konferencën e fundit, por Kosmo, i cili është i përfshirë te Germin, e akuzon atë se ka anashkaluar rekomandimet e tyre në favor të një qasjeje më burokratike.

Kjo vjen, pasi Majko nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me organizatën më herët këtë vit, çka u pa gjerësisht si një angazhim për të bashkëpunuar me një sërë projektesh të diasporës, përfshirë këtu krijimin e këshillit konsultues.

Në vend që të adaptonte propozimin e Germin-it, në fillim të qershorit, ministri i Diasporës vendosi strukturën e tij legjislative për krijimin e këshillit konsultues, një trup institucional i përbërë nga 13 këshilltarë civilë, të zgjedhur nga vende me diasporë të madhe shqiptare. Këshilli do të identifikojë problemet e lidhura me popullatën e tyre dhe do t’i propozojë zgjidhje Ministrisë së Diasporës, kryeministrit dhe liderëve të qeverive në vendet e tyre të rezidencës.

Ligji i ri, i aprovuar nga Këshilli i Ministrave, thotë se ambasadorët e Shqipërisë do të bashkëpunojnë me liderët lokalë të diasporës për emërimin e kandidatëve më të mirë. Majko mundet gjithashtu të emërojë individë dhe së bashku me Këshillin e Ministrave – në vend të diasporës – thotë fjalën e fundit se kush do të përzgjidhet.

Kosmo sheh probleme me emërimet nga lart-poshtë dhe me procesin e konfirmimit, edhe pse e lavdëroi ligjin si shumë të detajuar. Ai shqetësohet se Këshilli mund të shihet si një zgjatim i qeverisë, më shumë se si një trup i pavarur që vendos interesat e diasporës në radhë të parë.

“E di që ekzistojnë shqetësime apo rezerva, për shkak se kjo është eksperienca e parë në këtë drejtim dhe këto lloj gjërash nuk janë debat i mbyllur… ky do të ishte një gabim i madh për ne”, – ka thënë Majko në një intervistë, duke u zotuar se do të punonte ngushtë me Germin-in.

Ministri Majko gjatë intervistës me Jackie DeFusco. Foto: Antonio Çakshiri

Majko thotë se ai nuk e mbështet Këshillin si një trup të pavarur tani apo në të ardhmen e afërt për shkak të niveleve të ndryshme të organizimit të diasporës nga shteti në shtet.

Gashi u takua personalisht me Majkon më 8 qershor, pasi ligji u aprovua.

Ministri Majko në seancën e Kuvendit (7 Qershor 2018) ku u miratua ligji për Zhvillimin e Diasporës. Foto: Antonio Çakshiri

Ajo thotë se Majko i premtoi në mënyrë verbale përfshirjen e disa prej rekomandimeve të Germin-it.

“Një seancë me pyetje dhe përgjigje me ministrin dhe anëtarë të diasporës po planifikohet aktualisht për në fund të muajit qershor”, – thotë Gashi.

Në eksperiencën e tij 25-vjeçare duke punuar mbi çështje të diasporës, Kosmo thotë se ka pasur një mungesë të vazhdueshme të kulturës së konsultimit.

“Është e vështirë të jesh i zhgënjyer në këtë pikë, sepse tashmë jam mësuar”, – thotë ai.
 

Historia e një angazhimi të rremë

Në vitin 2013, qeveria shqiptare iu qas studiuesve të Universitetit të Harvard-it për këshilla mbi përmirësimin e ekonomisë së saj. Ata rekomanduan krijimin e një Ministrie të Diasporës nga qeveria shqiptare.

Vëzhgimi i Harvard-it i vitit 2015 – i afro 900 shqiptaro-amerikanëve – zbuloi se diaspora ishte e etur për të qëndruar në kontakt me vendin e saj të origjinës.

Më shumë se gjysma e atyre që u përgjigjën ishin të përfshirë në organizata të komuniteteve shqiptare në Shtetet e Bashkuara, por ende mungonte kanali i institucionalizuar për t`i lidhur këto grupe përtej shteteve dhe kufijve kombëtarë.

Në këtë kontekst u krijua rrjeti virtual i Germin-it, gjerësisht i konsideruar si revolucionar.

Samiti i diasporës në Tiranë, në nëntor të vitit 2016, ishte përpjekja e parë, e organizuar qeveritare për të lidhur shqiptarët globalë, por samiti kishte problemet e tij.

Pasi u shty disa herë, ftesat u dërguan vetëm një muaj përpara datës mbi të cilën ishte rënë dakord. Ljubica Nedelkoska e Qendrës për Kërkimin mbi Zhvillimin Ndërkombëtar të shkollës Harvard Kennedy thotë se eventi do të kishte qenë më i suksesshëm nëse do të ishte planifikuar më herët, por sërish tërhoqi mbi 800 anëtarë të diasporës nga rreth 40 shtete.

“Mund të shihje shumë energji dhe njerëzit vërtet kishin nevojë të flisnin”, – thotë Nedelkoska, – Shqiptarët jashtë vendit nuk e kishin pasur kurrë mundësinë për të bërë bisedat që donin me qeverinë”.

Duke hedhur shikimin pas, Kosmo thotë se samiti treditor ishte gjysmë-spektakël, gjysmë-substancë:

“Spektakli nuk është i keq… por, çfarë ndodh më pas, është ajo që ka rëndësi”, – theksoi ai.

Kosmo u zhgënjye me mungesën e vijimit të diskutimit pas samitit. Ai thotë se krijimi i një Ministrie të Diasporës në nëntor të vitit 2017, një vit më vonë, ishte shenja e parë që qeveria dha për marrjen me seriozitet të çështjes së diasporës.

Por problemet vazhduan.

Kosmo i dërgoi një e-mail, afërsisht tremijë fjalë të gjatë, ministrit të sapoemëruar Majko në nëntor 2017, duke sugjeruar me ngulm krijimin e një grupi pune që do të bashkëpunonte rregullisht për krijimin e Strategjisë 6-vjeçare Kombëtare të Diasporës së Shqipërisë.

“Më e mira do të ishte që Strategjia Kombëtare e Diasporës të finalizohet me përfshirjen e kontributit të diasporës shqiptare. Nuk duhet të bëhet nga qeveria me diasporën shqiptare që e komenton, por duhet të jenë si një produkt i përbashkët”, – shkroi ai.

Ai rekomandoi gjithashtu që ministri të kërkonte financimin nëpërmjet donacioneve për të mbështetur udhëtimet e këtij grupi drejt Tiranës në fillimin e vitit 2018, për t’i dhënë nismën konsultimit të politikave.

Majko u përgjigj duke e falënderuar për vëmendjen e tij ndaj strategjisë dhe duke thënë se do ta kontaktonte nëse do të kishte pyetje të mëtejshme.

Në mungesë të ndonjë përgjigjeje të radhës nga Majko, Kosmo shkroi një letër tjetër në shkurt të vitit 2018, të firmosur bashkërisht nga mbi 200 anëtarë të diasporës shqiptare, shumë nga të cilët të përfshirë në mënyrë aktive në Germin.

Letra argumentonte se partneritetet e shkuara publike-private me diasporën kishin qenë shumë informale dhe të pamjaftueshme.

Grupi përpiloi një listë gjithëpërfshirëse pyetjesh, duke përforcuar interesin e tyre për krijimin e një grupi pune, si dhe përcaktoi shtatë fusha të ekspertizës, ku diaspora mund të ndihmonte.

Kosmo thotë se ministri nuk u përgjigj, edhe pse shumë nga këto pika ishin diskutuar informalisht, kur Majko vizitoi Bostonin, Masaçusetsin më vonë gjatë atij muaji.

Tre muaj më vonë, në maj, Këshilli i Ministrave aprovoi strategjinë 6-vjeçare dhe planin e punës së Ministrisë së Diasporës, por në mungesë të një bashkëpunimi formal me diasporën Kosmo e konsideroi si një draft të parë – në rastin më të mirë.

Kur u pyet nga reporterët e Qendrës pse nuk krijoi një grup pune të diasporës, Majko nuk dha një shpjegim specifik. Ai theksoi se plani i tij i punës lejon specifikisht diasporën të japë kontributin e saj në ndryshimet në strategji gjatë samiteve të përvitshëm, i pari nga të cilët i kushtoi qeverisë rreth 18,000,000 lekë ose 167 mijë dollarë, sipas Ministrisë së Jashtme.

Kosmo mendon se komunikimi në mënyrë ditore ose javore është një domosdoshmëri për të krijuar një plan të mirë pune.

Përpara se diaspora të angazhohet formalisht në procesin e politikave, Kosmo mendon se një samit i dytë, aktualisht i planifikuar për në nëntor të vitit 2018, është i parakohshëm.

 

Takimet me diasporën dhe përgjegjësitë financiare

Gjatë nëntë muajve të shkuar, Majko ka shpenzuar shumicën e kohës së tij duke u takuar ballë përballë me individët dhe organizatat e komunitetit në vendet me diasporë të madhe shqiptare.

Majko thotë se dëgjimi i ideve të tyre në këto mbledhje informale është i domosdoshëm për ndërtimin e marrëdhenieve të mira në këtë kapitull të ri.

Liderët e komunitetit shqiptaro-amerikan thonë se disa nga këto udhëtime u planifikuan në minutën e fundit, duke i detyruar ata që të mblidhen me nxitim për të pritur ministrin.

Në Clearwater, Florida, Rrjeti i Biznesit Shqiptar dhe Profesional, ABPN thotë se u lajmërua dy javë përpara vizitës së Majkos.

Udhëtimi i ministrit në Hjuston, Teksas, gjithashtu u organizua në minutën e fundit, data e saktë e të cilit u konfirmua vetëm 72 orë përpara eventit. Rreth 50 persona mundën të marrin pjesë me këtë lajmërim afatshkurtër, në një zonë me rreth 1,700 shqiptarë.

Zyra e kryeministrit, i cili aktualisht mbikëqyr buxhetin e Ministrisë së Diasporës, nuk ia doli që t’i përgjigjet kërkesës së dërguar në kuadër të ligjit për të Drejtën e informimit, për një detajim të buxhetit dhe shpenzimeve të udhëtimeve të Majkos.

Një buxhet zyrtar, për të cilin ministri Majko thotë se nuk është ende “funksional”, i gjetur online për Agjencinë e Diasporës dhe Mërgimit, liston buxhetin total të ministrisë për vitin 2018 në shumën 17,000,000 lekë ose rreth 160 mijë dollarë.

Rreth 70 për qind e atij buxheti po shpenzohet për rrogat dhe shpërblimet e pesë punëtorëve, duke lënë më pak se 5,400,000 lekë ose rreth 50 mijë dollarë për ato që janë listuar si kostot operative dhe kostot e ndryshme.

Burime të shumta në dijeni të veprimtarisë së ministrit, duke përfshirë Kosmo-n, Nedelkoska-n dhe Richard Lukajn, një filantrop i diasporës shqiptare që jeton në Shtetet e Bashkuara, ritmin e ulët të progresit ia atribuojnë një buxheti të varfër dhe një stafi të vogël.

Lukaj thotë se këto udhëtime, dedikuar mbledhjes dhe ndarjes së informacionit, janë të përshtatshme për një ministri të paprecedent që ende po përpiqet të fokusojë përpjekjet e saj.

Liderët e komunitetit shqiptaro-amerikan në Florida dhe Teksas thonë se Majko duhet të vijojë komunikimin edhe pas vizitave, të cilat, sipas tyre, nuk ka kanë prodhuar rezultate të prekshme.
 
Suksesi kërkon një ndryshim kursi

Një pyetje e ngritur gjatë takimit të ministrit në Florida ishte se çfarë mund të bëjnë grupet e diasporës për të influencuar politikat në vend.

“Përshtypja që unë mora ishte se ata nuk ishin duke kërkuar realisht opinione dhe mendime se si t`i ndryshonin gjërat, por njerëz që ishin gati të investonin”, – thotë Veton Krasniqi, zëvendëspresident i ABPN-së.

Kosmo thotë se investimet janë përgjithësisht gjëja e parë që një ministër i thekson diasporës gjatë udhëtimeve të tij. Duhet të jetë çështja e fundit, sipas tij.

Vëzhgimi i Harvard-it i vitit 2015 zbuloi se investimi është elementi më pak popullor i angazhimit në diasporën shqiptaro-amerikane.

Më shumë se 95 për qind e të pyeturve thanë se korrupsioni ishte shqetësimi i tyre kryesor rreth bërjes së biznesit në vendin e tyre të origjinës.

Nedelkoska e Harvard-it thotë se një leksion kyç nga ekzaminimet e mëparshme të diasporës në Shtetet e Bashkuara është se njerëzit janë në thelb mosbesues ndaj çdo qeverie shqiptare, jo vetëm ndaj administratës aktuale.

“Ekziston një mënyrë për ta thyer këtë qëndrim… të tregosh transparencë, – thotë ajo.

– Qeveria duhet të jetë e aftë që të komunikojë mirë. Ata duhet të jenë të qëndrueshëm dhe të mbajnë premtimet e tyre”.

Duke marrë pjesë në grupe fokusimi dhe nga vëzhgimet, Gashi ka mësuar se shqiptarët jashtë vendit duan sa më pak përfshirje që të jetë e mundur të qeverisë në projektet e diasporës. Kosmo beson se njerëzit janë më të prirur të investojnë në bizneset shqiptare nëse një kanal jofitimprurës për investimin e drejtpërdrejtë krijohet nga një organizatë joqeveritare si Germin. Kjo është arsyeja pse grupi krijoi një task force për një plan filantropik pune.

Një rezultat që shumë shpresojnë se do të vijë nga përpjekja e diasporës është kalimi i aftësive dhe ekspertizës së atyre që jetojnë jashtë tek ata në Shqipëri.

Nedelkoska thotë se “sëmundja e përhershme” e Shqipërisë është mungesa serioze e aftësive praktike, ato ajo i konsideron më të vlefshme se njohuritë në ekonomitë në zhvillim. Ajo thotë se është e rëndësishme që qeveria të fokusohet në ndërtimin e rrjeteve që do ta zhvendosnin diasporën shqiptare me aftësi drejt vendit, fizikisht ose virtualisht.

Shkëmbimet edukative ose profesionale janë mënyrat për të cilat diaspora është më e gatshme të angazhohet, sipas vëzhgimit të Harvard-it.

“Është më e rëndësishme që ata t`i ushqejnë këto lloj marrëdhëniesh, në mënyrë që doktorët shqiptarë të mësojnë nga doktorët në Masaçusets dhe sipërmarrësit të mësojnë nga sipërmarrësit në Nju-Jork”, – thotë Nedelkoska.

Majko thotë se ministria e tij është në fazat e para të planifikimit të projekteve që adresojnë nevojat dhe kapacitetet. Germin ka ngritur task force për të dyja këto fusha. Gashi thotë se ata planifikojnë të ndajnë me ministrinë rekomandimet e tyre përfundimtare gjatë fundit të muajit qershor.
 
Optimizëm i pazakontë

Pavarësisht ankesave të liderëve të diasporës, ndjesia popullore që rrethon këtë ministri ka një optimizëm të pazakontë.

Eva Millona, një emigrante shqiptare që sot shërben si drejtoreshë ekzekutive e Koalicionit të Emigrantëve të Masaçusetsit dhe Avokatisë së Refugjatëve, është pjesë e shumicës së shqiptaro-amerikanëve të intervistuar që beson se Majko është një zgjedhje e mirë për ta drejtuar këtë ministri.

Ajo thotë se shqiptarët në Masaçusets, – shtet i cili është shtëpia e diasporës me edukimin më të mirë në Shtetet e Bashkuara, sipas profilit statistikor të Harvard-it – mezi presin ta shikojnë ministrinë të marrë formë.

“Është një mundësi e madhe për diasporën që të ketë një zë dhe të mbështesë përmirësimin e rajonit”, – thotë ajo. – Buxheti është diçka, por vizioni dhe përkushtimi për ta bërë të funksionojë janë diçka tjetër”.

“Ëndrra ime është që diaspora të mund të shihet, – thotë Majko. – Ne po punojmë me qenie njerëzore, me njerëz dhe, nëse kemi mirëkuptimin e tyre, do të jemi të suksesshëm”.
   

Intervista e plotë me Ministrin e Diasporës Pandeli Majko (Në anglisht)

Gjatë intervistës me Ministrin e Diasporës Pandeli Majko në zyrën e tij brenda godinës së Kryeministrisë. Foto: ACQJ

*Fotoja kryesore në fillim të shkrimit, e publikuar nga kryeministri Edi Rama në Facebook gjatë Samitit të Diasporës në Nëntor 2016

Comment

*