Ministria e Drejtësisë reagoi ashpër ndaj një vendimi të gjyqtares Herila Çela

Tiranë, 8 gusht 2018 – Në Shqipëri, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme reaguan ashpër ndaj një vendimi të gjyqtares së gjykatës së Apelit në Vlorë, Herila Çela, që të lë në arrest shtëpie një person të arrestuar dy herë radhazi, brenda pak muajsh, raporton Zëri i Amerikës.

Bëhet fjalë për 28 vjeçarin nga Vlora Taluant Manaj, i arrestuar fillimisht në shkurt të këtij viti, për “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai u la në arrest shtëpie nga Gjykata e Apelit të Vlorës. Në qershor ai përfundoi sërish në pranga, pasi thesu masën e arrestit të shtëpisë dhe prapë u gjet me armë pa leje. Por, dy ditë më parë, gjykatësja Çela, vendosi që atij të hiqej masa e arrestit me burg, duke e ndryshuar në arrest shtëpie.

Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) do t’i ksërkojë edhe shkarkimin e gjyqtares Çela.

“Sot, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave në përpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares”, deklaroi zëvendës ministri i Drejtësisë, Toni Gogu

“Mbase gjyqtarët që kanë dhënë dhe vijojnë të japin vendime të tilla, si ky i fundit, mendojnë se do t’ia hedhin thjeshtë duke ikur nga sistemi, por jo. Pas Vetingut është rradha e ndëshkimeve për të gjithë, sepse Vetingu nuk është thjesht pastrimi i llumit nga Pallati i Drejtësisë, po mjeti për të garantuar një sistem drejtësie që bën drejtësi, për të gjithë e pa dallim”, theksoi  Gogu.

Zëvendës-ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, e ka quajtur “absurd” vendimin e gjyqtares Çela. Sipas tij, vendimi i saj “e ka vënë në pikëpyetje gjithë luftën dhe sakrificën e bërë deri më tani”.

Sipas Ministrisë së Brendshme, janë më shumë se 18 raste që gjykatat në rrethe të ndryshme kanë dhënë vendime të buta ndaj të arrestuarve të kapur me armë pa leje, ndaj të dyshuarve për tentativë grabitje më armë apo ndaj atyre që thyejnë masën e sigurisë dhe qarkullojnë me armë në qytet. (r.m.)

One Response to “Ministria e Drejtësisë reagoi ashpër ndaj një vendimi të gjyqtares Herila Çela”

Read below or add a comment...

  1. dashamiri dr says:

    Min drejtesis dhe brendshmja duan te fusin gjyqsorin nden veti
    pra ekzekutivi superiore

Comment

*