Ministria e Financave paralajmëron lehtësira fiskale për prodhuesit

Prishtinë, 29 shtator 2017 – Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka mbajtur takimin e parë me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit. Me këtë rast është bërë edhe nënshkrimi i Memorandumit për themelimin e Këshillit Konsultativ.

Ai i ka njoftuar përfaqësuesit e bizneseve se ka marrë vendim që Qeverisë t’ia përcjellë vendimet dhe udhëzimet që do të finalizohen gjatë muajit tetor, të cilat, sipas tij, do të fillojnë të krijojnë efekt material nga 1 janari i vitit 2018.

Hamza ka thënë se ndër lehtësirat që pritet të miratohen nga qeveria janë: lirimin i të gjithë prodhuesve të vendit nga taksa doganore për lëndën e parë që shfrytëzohet për prodhim, lirimi nga taksa doganore e gjysmë produkteve që përdoren për prodhim, lirimi nga taksa doganore e të gjitha linjave dhe makinerive prodhuese që përdoren për prodhim në hapësirat prodhuese dhe lirimi nga taksa doganore e pajisjeve të teknologjisë së informacionit.

Sipas tij, nga tatimi i akcizës do të lirohen të gjithë prodhuesit, pavarësisht se e importojnë vetë apo përmes kontraktorëve, burimet e energjisë që përdoret për prodhim, si mazuti, gazi apo energjentët  tjerë.

Hamza ka thënë se qeverisë do t’i procedohet për aprovim edhe Udhëzimi Administrativ për shënimin e miellit, i cili vendoset në qarkullim të lirë.

Hamza është zotuar se Qeveria do të procedojë së shpejti edhe masa të tjera, të cilat kanë për qëllim krijimin e klimës më të favorshme për bizneset e vendit, por edhe për ato të jashtmet.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kanë thënë se lehtësitë tatimore që i ka përmendur ministri Hamza do të ndikojë në rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive prodhuese të vendit.

Visar Hapçiu nga Oda Ekonomike Amerikane ka thënë se Qeveria duhet të shqyrtojë edhe lehtësira të tjera, të cilat do të kenë ndikim të fuqishëm në zhvillimin e shpejtë të ekonomisë së vendit. (r.m.)

Comment

*