Ministria e Kulturës nuk duhet të shuhet

Arsim Canolli

Në kohën kur shteti i Kosovës duhet ta mbrojë trashëgiminë e vetë kulturore, natyrore dhe shpirtërore, kur duhet të kujdeset që Serbia të mos mumifikojë trashëgiminë kulturore të Kosovës në emër të “specialitetit” të Kishës Ortodokse Serbe, kur ka nevojë për shenjëzim, mbrojtje, ruajte, studim e promovim të vlerave të shtresimeve kulturore në Kosovë, partitë politike që synojnë të bëjnë koalicion atipik, duhet të mendojnë në mënyrë tipike, të paktën për trashëgiminë kulturore. Tipike është t’i jepet peshë sa ka. Trashëgimia kulturore e Kosovës ka peshë të madhe. Ajo mban mbi supe paqen afatgjate të republikës.

Në kohën kur statusi i Kishës Ortodokse Serbe nuk përmendet fare, por mbahet krejt në heshtje, planifikohet thërmijëzimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo ndarje, paradoksalisht, do t’i konvenonte Serbisë dhe akterëve të saj destabilizues, të bekuar nga Kisha e saj. Sado që kryesuesit e qeverisë së ardhshme, kushdo qofshin ata, do të mund të refuzonin “specialitetin” ligjor të Kishës Ortodokse Serbe, shuarja apo shkapërderdhja e Ministrisë së Kulturës do të ishte zbehje e peshës së trashëgimisë kulturore. Sporti dhe rinia nuk janë peng i dialogut me Serbinë. Trashëgimia do të jetë. Shpresojmë të mos jetë, por duket se do të jetë. Analiza politike e logjike çon në mendimin se do të jetë peng i daologut. Si gjithmonë, Serbia është e lidhur si me kërthizë me Kishën e saj, e Kisha e saj me kishat e manastiret e saj në Kosovë, që janë trashëgimi kulturore e Kosovës, vlerë e të gjithëve dhe e mbarë njerëzimit. Serbia do të tentoj të shfrytëzoj trashëgiminë kulturore si masë për krijuar monstrum ligjor brenda sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Pa dyshim se ka raste e mundësi e gjithçka mund të bëhet në kontekst të reformimit. Por, shuarja e Ministrisë së Kulturës nuk është zgjidhje praktike sot. Do të ishte ideale, në një kontekst ideal, që Kosova të mos kishte Ministri të Kulturës, dhe kultura të mbetej punë e njerzve të kulturës. Por, në rastin e Kosovës, Ministria e Kulturës është përgjegjëse, të paktën në letër, për trashëgiminë kulturore. Dhe, përgjegjësia e letrave, ligjeve dhe vendimeve të bazuara në ligje të kësaj fushe, është e rëndësishme në këtë kohë. Andaj, kjo ministri duhet të mbetet. Nëse duhet ndryshuar atëherë duhet të ndryshohet përqëndrimi. Përqëndrimi duhet të rritet shumë në trashëgimi kulturore, duke bërë dikastere specifike për pesë kategoritë e saj: trashëgiminë arkeologjike arkiktetonike, natyrore, shpirtërore dhe pejzazhore.

Kosova ka trashëgimi të jashtëzakonshme. Trashëgimia kulturore e Kosovës është dëmtuar shumë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Kosova ka nevojë ta studiojë si duhet trashëgiminë e saj plot shtresa e vlera. Historia e Kosovës është histori e trashëgimisë së Kosovës, sa monumentale, aq edhe shpirtërore.Trashëgimia e Kosovës është rast unik në botë, ka ligje unike në botë, ligje speciale që mbrojnë zona speciale të Kishës Ortodokse Serbe. Nëse nuk ka Ministri, ky specialitet shumë më lehtë mund të bëhet kishë-shtet.

Prandaj, jo të shuhet, por duhet të ngritet në një Ministri unike: Ministria e Kulturës që merret me Trashëgimi Kulturore. Ministria e Trashëgimisë Kulturore. Shteti i Kosovës duhet të ketë Ministër të Kulturës, sepse me ligje të trashëgimisëkulturore, Ministri është përgjegjës për shumë gjëra, ka shumë pushtet në vendimmarrje, ulet në tavolina kur vendoset për pushtetin e Kishës Ortodokse Serbe. Nëse s’ka Ministër, ska mbrojtje efikase të trashëgimisë kulturore në kontekst ligjor, kur shteti ballafaqohet me Kishën e Serbinë. Nëse hiqet Ministri, trashëgimia kulturore mbetet punë e administratorëve të papushtet.

Ministria e Kulturës nuk duhet të shuhet.

(Autori është studjues i antropologjisë sociale e kulturore, profesor në Departamentin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës)

Comment

*