Ministria mbron me masë e përkohshme 21 produkte bujqësore

Prishtinë, 14 korrik 2018 – Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka marrë vendim të ndërmarrë masë të përkohshme për mbrojtjen e produkteve bujqësore që prodhohen në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, i cili do të hyjë në fuqi më 18 korrik, importuesit do të paguajnë 30 për qind të vlerës doganore për të gjitha pemët dhe perimet që do t’i importojnë në Kosovë.

Në vendimin e ministrit Hasani thuhet se kjo masë është ndërmarrë pas një hetimi të gjerë dhe konsultimeve me prodhuesit vendorë, ashtu siç parashihet me Ligjin për Masa Mbrojtëse në Importe.

“Vlerësimi ofroi bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se produktet që do të hetohen, importohen në Republikën e Kosovës në sasi aq të mëdha dhe në ato kushte të cilat kërcënojnë t’u shkaktojnë dëm serioz prodhueseve të pemëve dhe perimeve në vend ose të shkaktojnë parregullsi që mund të përkeqësojnë gjendjen ekonomike të prodhuesve të pemëve dhe perimeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Në listën e pemëve dhe perimeve të importuara për të cilat do të paguhet 30 për qind e vlerës doganore janë përfshirë: patatja, domatja, speci, trangulli, shalqiri, pjepri, lakra e hershme (pranverore), lakra e vonshme (vjeshtore), sallata (të gjitha varietetet), spinaqi, qepa, karrota, fasulja monokulture, molla, dardha, kumbulla, qershia, dredhëza, mjedra, manaferra dhe misri. (r.m.)

Comment

*