Miq te “Shtëpia e shqiptarit”

“Shtëpia e shqiptarit”. Kështu e thërrasin bashkatdhetarët tane Qëndrën Kulturore të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Kjo jo rastësisht, porse aty zhvillohen veprimtari të shumta të kësaj shoqate me emër, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe më gjërë. Vetëm gjatë vitit 2016 janë zhvilluar 34 veprimtari te larmishme me karakter historik, social dhe kulturor. Por aty organizohen edhe ditëlindjetë, përkujtimore, babyshoëuer (një festë para se nëna e re të lind fëmijën) etj. Në një ditë të tillë u “pagëzua” kjo qëndër me emrin e bukur “Shtëpia e shqiptarit”. Dhe si një shtëpi e madhe ajo ka pritur dhe përcjell gjatë këtyre 15 viteve shumë shqiptarë, jo vetëm nga Shetet e Bashkuara të Amerikës por edhe nga trojet shqiptare dhe shtetet e tjera europiane ku kanë emigruar bashkatdhetarët tanë.

Ja kështu ndodhi edhe këtë javë të fundit të këtij viti. Nga Shqipëria kishin ardhur për vizitë dy bashkatdhetarë të nderuar: zotërinjtë Bajram Avdia dhe Mezan Resuli, i pari nga Tropoja dhe i dyti nga Çamëria. Të dy biznesmenë dhe miq të mirë. Zërin ua kishim dëgjuar vite më parë nga miku ynë i përbashkët Hysë Hasa që jeton në Filadelfia dhe është anëtar dhe veprimtar i palodhur i shoqatës tonë. Si parathënie të vizitës së tyre miqtë e sapoardhur na dërguan para disa muajësh si dhuratë një flakë elektronike, që është simbol edhe i grupit të tyre shoqëror me emrin “Flaka”. Hysa, edhe pse larg, vazhdon të jetë anëtar i këtij grupi.

Kryetari i shoqatës z. Tajar Domi së bashku me Llazar Veron dhe Rrapi Rokajn kishin shtruar tavolinën tek salla e kafenesë si për një ditë të vecantë. Një pritje-koktejl me gjthë të mirat dhe të gjitha me shpenzimet personale të tyre, për të nderuar vëllezërit tanë nga Shqipëria të Grupit shoqëror “Flaka”.

Duke iu uruar mirëseardhjen z. Tajar Domi u foli miqëve shkurtimisht për jetën e shoqatës dhe punën e madhe që bëhet për ruajtjen e kulturës dhe traditave me te mira të vendit tonë. Ai theksoi se viti 2016 është një nga vitet me më shumë veprimtari dhe arritje.

Pastaj e mori fjalën z. Bajram Avdia, i cili falenderoi mikpritësit dhe vazhdoi me jetën e etyre në Grupin “Flaka”.

Po ç’është ky grup ? Ata janë shokë dhe biznesmenë. Çfarë i ka bashkuar?:- Flaka e atdhedashurisë. Nuk jane bindjet politike apo partiake, as ato krahinore, as interesat e biznesit ato që i kanë bashkuar, por thjesht si shqiptarë, si burra te ndershëm, familjarë dhe atdhetarë të mirë. Nuk janë pak motivet e bashkimit. Biles janë nga ato me më shumë peshë. Të duam dhe të respektojmë njëri-tjëtrin për vlera të vërteta. Falë talentit të tyre, punës së madhe dhe sakrificave ata kanë arritur të punësojnë me qindra njërëz në Shqipëri, kanë ndihmuar me qindra te vobekët, kanë bërë shumë… punë të mira.

Kështu i shihje çdo mengjes të pinin kafen së bashku. Pastaj vendosën të organizoheshon më mirë si grup shoqëror. I gjetën edhe emrin. E quajtën “Grupi Flaka”. Ashtu si flaka e vatrës që të mban grohtë dhe bashkë. Zgjodhën edhe kryetarin, sekretarin dhe gjykatësin. Të gjithë me kompetenca të plota veprimi demokratik. Dhe me disiplinë të fortë. Asnjë shkelje.

Përsa u përket bindjeve politike janë të ngjyrave të ndryshme, të majtë dhe të djathtë, bile kane në mes tyre edhe nje me bindje komuniste. Bindje e tij, e shokut dhe mikut te tyre. Ata e respektojnë njëlloj njëri-tjetrin.

– Kur ishte i semurë ky- tregon kryetari i grupit Bajram Avdia,- shkuam për vizitë ne shtëpi dhe i çuam si dhurate portretin e udheheqesit të tij. U gëzua pa masë. Nuk e priste nga unë që isha demokrat, i djathtë, si i thonë. Edhe im at nuk është në një bindje politike me mua. Në zgjedhjet e fundit elektorale ai votoi për Edi Ramën, për Partinë Socialiste, ndërsa unë për Partinë Demokratike. Ishte zgjedhja e tij. Dhe unë e respektoj si atin tim dhe si njeri.

Në çdo fjalë të Bajram Avdisë ka sinqeritet dhe krenari, ka urtësi dhe mënçuri. Një malësor i vërtetë, një njëri i emancipuar.

Mezan Resuli është miku i tij i afërt. Në grup e thërrasin “Zambaku i Çamërisë”. Në vështrim të parë duket i qetë, pak i ngadaltë, por ka kaq energji në shpirt sa ja kalon edhe nje më të riu. Eshtë kjo energji dhe mënçuri që ka bërë të mundur të ngrej një bisnes të sukseshëm në Durrës,ku ka punësuar rreth 300 punëtorë, dhe disa lokale tregëtie në këtë qytet dhe në Tiranë. Ka udhëtuar shumë për punë jasht vendit, por më shumë në vendet e lindjes si në Kinë, Korenë e Jugut, Vietnam etj.

– Një herë festat e nëntorit më gjetën së bashku me Bajramin në Korenë e Jugut- tregon Mezani.- Kisha hedhur flamurin tonë krahëve si për festë dhe dola rrugëve te Seulit, kryeqytetit të vendit. Desha ta ngrija diku, në një shtizë, në një pemë.. Dola në rrugën e flamujëve. Nuk e pashë gjëkundi flamurin tonë. Na u ndez më shumë dëshira për ta ngritur diku. Ishte dita e tij. Disa koreanë të rinjë e vunë re shqetësimin që kishim. E njohën Flamurin tonë. Filluan edhe ata të kërkonin mundësinë për ta ngritur diku. Dhe e ngritëm pranë flamurit amerikan. Ishim të lumtur. Është i bukur flamuri ynë, është i shënjtë.

Mezani është i lidhur ngusht me veriun e vendit dhe sidomos me Kukësin, ku ka punuar në vitet ’60. Nuk i harron kurrë ato vite dhe ata njërëz të mirë. Përpiqet t’i ndihmojë herëpasherë. Këtë muaj çoi shumë pako me veshje për familjet në nevojë në ato zona. Dhe ata nuk e harrojne kurrë Mezan Resulin, djalin nga Durrësi që punoi si kooperativist, birin e Camërisë.

Biseda jonë, si një bisedë midis vëllezërish, duket sikur nuk do të kishte fund. Japim dhe marrim për punët tona, por më shumë për ato punë që kanë të bëjnë me komunitetin , me vendin tonë dhe se çfarë mund të bëj secili nga ne, si individ, si grup, si një tërësi.

Zotërinjtë e nderuar Bajram Avdia, Mezan Resuli dhe dhëndëri i tij Kujtim Mehmeti që jeton në Filadelfia, gjatë bashkëbisedimit shprehën dëshirën të bëheshin antarë të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Plotësuan fletëantarësimet dhe dhanë ndihmë në të holla për Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”.

Kryetari i shoqatës z. Tajar Domi u dhuroi zotërinjeve nga një libër mbi veprimtarinë e shoqatës, botuar me rastin e 10 vjetorit të krijimit të saj si edhe nga një stilolaps me simbolet e saj. Midis falenderimeve dhe përqafimeve vëllazërore në fund të takimit u bënë disa fotografi në ambientet e shoqatës.

Ishte me të vërtet një takim i ngrohtë dhe mbresëlënës me këta bashkatdhetarë të mënçur dhe punëtorë nga Shqipëria, me këta burra që dinë të bashkohen vëllazërisht dhe të punojnë me kaq ndershmëri dhe zemër për mbrothësinë e vendit.

LLAZAR VERO

Filadelfia,

Dhjetor 2016

01 02 03 04 05 06 07

Comment

*