Mirënjohje e merituar për miken e shqiptarëve, Berit Backer

Fatmir Lekaj

Për të shpjeguar në një mënyrë të shkurtër, konkrete dhe kuptimplote, kontributin e znj. Berit Backer për shqiptarët, në kuadër të “PROCESIT TË HELSINKIT”, po paraqes në vijim një historik të shkurtër të këtij procesi

Pikënisje për Procesin e Helsinkit, ishte Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE, në kuptimin e një arene të konferencave ndërkombëtare në mes Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Deklaratën e Helsinkit.  KSBE-ja, u iniciua nga Bashkimi Sovjetik, përkatësisht nga ministri i Jashtëm, Vjatsjeslav Molotov, i cili në vitin 1954, lansoi idenë për një konferencë të sigurisë në mes Lindjes dhe Perëndimit. Po ashtu, Leonid Bresjnev, gjatë Kongresit të partisë në vitin 1966, u bëri thirrje shteteve evropiane për ti trajtuar dhe zgjedhur bashkërisht çështjet e sigurisë politiko-ushtarake. SHBA-të, fillimisht ishin kundër, ngase iniciativën e Bashkimit Sovjetik e konsideronin si tentim që të përçajë shtetet evropiane me SHBA-të, në veçanti  që t`i armiqësoj Francën dhe SHBA-të, duke e marr parasysh ndikimin që kishte Franca në Evropë dhe apetitet rivalizuese të Francës ndaj SHBA-ve. Gjithashtu edhe më vonë, presidenti amerikan Richard Nixon dhe ministri i Jashtëm Henry Kissinger, ishin skeptikë ndaj iniciativës së Bashkimit Sovjetik, sepse konsideronin se pozicioni i fortë i SHBA-ve në NATO dhe në bisedimet bilaterale me Bashkimin Sovjetik, mund të dobësohej, poqëse SHBA-të  bëheshin pjesë e një dialogu multilateral për çështjet e sigurisë politiko-ushtarake. Pas shumë peripecive dhe iniciativave, Deklaratës së Bukureshtit të vitit1966, Apelit të Budapestit të vitit 1969 etj., u miratua Deklarata e Helsinkit gjatë Konferencës së KSBE-s në Helsinki të Finlandës, në vitin 1975. Deklarata e Helsinkit, që përveç Shqipërisë, u nënshkrua nga të gjitha shtetet evropiane, SHBA-të dhe Kanadaja, nuk ishte juridikisht e detyrueshme, por duke e marrë parasysh se pas shumë peripecive ishte një rezultat i suksesshëm i një konsensusi, kryesisht mes dy superfuqive të kohës, SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, konsiderohej politikisht dhe moralisht e detyrueshme. Në mesin e 10 parimeve të Deklaratës së Helsinkit u përfshi edhe parimi për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, dhe veçanërisht ndikoj për inkurajimin dhe angazhimin e veprimtarisë vullnetare ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, në veçanti nëpërmes etablimit të ”Grupeve të Helsinkit” të mirënjohur mëpastaj ndërkombtarisht si Komitetet e Helsinkit, në kuadër të ashtuquajturit Procesit të Helsinkit, i cilësuar edhe si “Lëvizja e Helsinkit”. Në këtë mënyrë Procesi i Helsinkit, rezultoi si një bumerang ndaj Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera totalitare dhe autoritare.

Grupi i parë i Helsinkit i njohur edhe si Moscow Helsinki Watch Group, u themelua në Moskë, në banesën e Andrej Sakharov, në vitin 1976, me qëllimin që të monitoroj respektimin dhe implementimin e parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Për ketë qëllim në Poloni u formua Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) në vitin 1976, dhe në vitin 1977 Lëvizja për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe të Drejtave Qytetare (ROPCiO). Ky Komitet dhe kjo Lëvizje në Poloni, gradualisht rezultuan në aleancën në mes punëtorëve, intelektualëve dhe kishës dhe themeluan Solidarnostin në vitin 1980, dhe Komitetin Polak të Helsinkit në vitin 1982. Gjithashtu në vitin 1977 u themelua Charta 77 në Çekosllovaki, në krye me Vaclav Havelin etj., të cilët kishin krijuar kontakte me strukturat e KSBE-s.  Autoritetet shtetërore sovjetike, çekosllovake dhe polake, ju përgjigjen me represion aktivistëve për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Në veçanti autoritetet shtetërore sovjetike ju përgjigjen me represion të ashpër pjesëtarëve të Grupit të Helsinkit në Moskë, me arrestime, burgosje dhe internime të brendshme. Kjo shkaktoi indinjatë të thellë tek shtetet anëtare të KSBE-s. Kjo indinjatë rezultoi edhe me themelimin e Grupeve të Helsinkit në shtetet perëndimore, që si qëllim parësor kishin mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në shtetet Lindore.  Në Norvegji u themelua shumë herët Grupi i Helsinkit, i njohur si  Komiteti Norvegjez i Helsinkit, përkatësisht në vitin 1977. Ndërsa në vitin 1978 u formalizua themelimi i Grupit të Helsinkit në SHBA, i njohur si Helsinki Watch Amerikan, dhe nga viti 1988 i njohur si Human Rights Watch.

Helsinki Watch Amerikan, ka pasur ndikim të madh në politiken amerikane. Veçanërisht nën udhëheqjen e presidentit Jimmy Carter, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut u bën prioriteti kryesor në politiken e jashtme amerikane. Rrjedhimisht, çështja e Drejtave dhe Lirive të Njeriut e dominonte në kontinuitet diskursin në mes shteteve anëtare të KSBE-s gjatë Procesit të Helsinkit. Shtetet perëndimore i kritikonin vazhdimisht shtetet e lindjes për shkelje të drejtave politike dhe civile, ndërsa shtetet e lindjes e refuzonin kritikën e shteteve perëndimore duke ju referuar njërit ndër parimet e Deklaratës së Helsinkit për mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve, dhe njëkohësisht i kritikonin perëndimoret për shkelje të drejtave ekonomike dhe sociale në shtetet e tyre. Presidenti Carter dhe Grupet e Helsinkit, nëpërmes Procesit të Helsinkit, që ishte njëkohësisht proces ndërshtetëror dhe proces civil, kanë pasur rol vendimtar për unifikimin e shteteve perëndimore nëpërmes një diskursi të përbashkët për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, kundër Bashkimit Sovjetik dhe në tersi kundër regjimeve të Evropës Lindore dhe më gjerë. Shtetet perëndimore në mënyrë unike gjithnjë e më shumë e rritnin presionin ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Lindjes, në kuptimin se të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nuk mund të cilësoheshin vetëm si çështje e brendshme e shteteve, siç i konvenonte Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera totalitare dhe autoritare. Në këtë vazhdë, Komitetet e Helsinkit në shtetet perëndimore, në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit, e themeluan Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit në vitin 1982, me qëllimin, përveç qëllimeve të tjera, të forcohet dhe bashkërendohet edhe më shumë, veprimtaria ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, dhe të inkurajohen forcat opozitare në Lindje. Gjithashtu politika reformiste e Mikhail Gorbatsjov, ka qenë vendimtare që sistemet totalitare dhe autoritare të fillojnë të hapen ndaj parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

Rrjedhimisht, etablimi i KSBE-s, si një arenë e konferencave ndërkombëtare, të bazuara në Deklaratën e Helsinkit, përkundër edhe mospajtimeve në mes shteteve anëtare të KSBE-s,  kontribuoi për relaksimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve në mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe veçanërisht shënoi fillimin e një faze shumë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, e njohur si Procesi i Helsinkit, në kuptimin e ndërtimit të një Evrope të re dhe të një rendi të ri botërorë.  KSBE-ja, pasi që shërbeu rreth 20 vite si arenë konferencash, u institucionalizua në vitin 1995 në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE. Veprimtaria për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në vazhdën e Procesit të Helsinkit, dhe shembja e murit të Berlinit, e kanë pasur ndikimin e vet të rëndësishëm për legjitimimin e intervenimeve humanitare në Somali, Ruandë, ish-Jugosllavi dhe në vende të tjera.

Mikja idealiste e shqiptarëve, znj. Berit Backer, si një ndër veprimtaret më të përkushtuara të veprimtarisë ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit, dhe si studiuese e pasionuar e kulturës shqiptare, ka dhënë një kontribut koherent dhe të veçantë për kyçjen dhe promovimin e çështjes shqiptare në kuadër të Procesit të Helsinkit. Veçanërisht, pasi që u bë pjesë e organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK-s), në vitin 1987, u bë një aktiviste e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke e vënë tërë potencialin e saj në këtë drejtim. Përveç tjerash, para shembjes së murrit të Berlinit, nëpërmes kontakteve të saja, në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, ndihmoj për kyçjen e LPK-s, në kuadër të Procesit të Helsinkit, dhe gjithashtu ndihmoj për të aranzhuar takime në mes udhëheqësve të LPK-s, dhe shtetarëve dhe diplomatëve të huaj, në lidhje me kërkesën për Republikën e Kosovës. Me ndihmën e saj u themelua Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinikit, si sektor i ndërlidhur me LPK-n, dhe si veprimtari lobiste dhe diplomatike në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit. Kjo ndikoi që ti ndalohet hyrja në ish-Jugosllavi. Në ketë kontekst mund të thuhet se veprimtaria e strukturave të caktuara të emigracionit politik shqiptar, para shembjes së murrit të Berlinit (Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Belgjikë i drejtuar nga Enver Hadri. Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Zvicër i drejtuar nga Xhafer Shatri. Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinikit në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit i drejtuar nga Nufri Lekaj. Shoqata Migjeni në Slloveni e drejtuar nga Sali Kabashi. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e drejtuar nga Joseph Diogardi, dhe struktura të tjera të ish-emigracionit politik shqiptar), e kanë pasur rrolin e rëndësishëm, lobist dhe diplomatik, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, gjatë viteve 80-dhjetë dhe fillimviteve 90-dhjetë.

Berit Backer, në cilësinë e koordinatores në mes Grupit të Ballkanit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit duke përfshirë Helsinki Watch -Amerikan, dhe strukturave të caktuara të KSBE-s, ishte një institucion në vete, më shumë se një ambasadore e shqiptarëve në shtetet perëndimore. Përveç tjerash, para shembjes se murit të Berlinit, ka pasur rrolin kyç për inicimin e udhëtimit, dhe udhëheqjen e delegacionit të ekspertëve të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch – Amerikan, për në Kosovë, për të vëzhguar situatën e Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë. Në vazhdën e kësaj vizite inicioi dhe ndihmoi themelimin e Komitetit të Helsinkit në Kosovë, dhe mëpastaj edhe në Shqipëri, duke përfshirë edhe themelimin e OJQ-ës  së parë në Shqipëri, si bërthamën e parë nga jashtë për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim në Shqipëri, dhe ka ndihmuar që Shqipëria të përfaqësohet në takimin e ekspertëve të KSBE-s. Në kuadër të kësaj veprimtarie, përveç tjerash, në fillimvitin 1988, me instruksionet dhe këshillat e znj. Backer, dhe me ndihmën e veprimtarëve të LPK-s, në Norvegji dhe Kosovë, ka udhëtuar dhe është pritur në mënyrë ilegale në Kosovë, znj. Gro Holm, gazetare dhe politologe (mike e afërt e znj. Backer), e cila gjatë qëndrimit në Kosovë ka mbledhur informata në lidhje me përpilimin e një raporti për gjendjen e jashtëzakonshme socio-politike në Kosovë. Vlen të përmendet se znj. Gro Holm është bashkëshortja e Kai Eidës që ka vlerësuar standardet për Kosovën pran OKB-së, 17 vite më pas, dhe në kuadër të propozimeve të tij, pranë OKB-s, ka hapur rrugën për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në drejtimin e pavarësimit të Kosovës.

Berit Backer, ka mbajtur kontakte me persona kyç të kohës, para shembjes së murrit të Berlinit, përveç tjerëve, edhe me ish-ambasadorin e SHBA-ve në Beograd, Warren Zimmermann, i cili paraprakisht ishte udhëheqës i delegacionit të SHBA-ve në KSBE. Njëkohësisht, njihej dhe kishte bashkëpunim me disa ndër veprimtarët e shquar shqiptarë: Ihsan Toptanin, Ibrahim Kelmendin, Xhavit Halitin, Ukshin Hotin, Fehmi Aganin, Gazmend Pulen etj. Ka qënë njohëse e shkëlqyer e kulturës dhe gjendjes socio-politike të shqiptarëve. Gjatë viteve të 70-dhjeta, ka qenë për vizitë në Shqipëri me bashkëpunëtoren dhe shoqen e saj të ngushtë, dhe miken e shqiptarëve, znj. Ann Christine Eek. Paraprakisht, para se të vizitonte Shqipërinë, ka qenë në Kosovë, ka banuar për një kohë në familjen e Kuklecëve të Isniqit, dhe gjatë kësaj kohe është marrë me një studim shkencor social-antropologjik për shqiptarët.

Një ndër pikat kyçe të veprimtarisë për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit, ishte edhe inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare nën regjimet shtypëse. Në linjë me këtë (pas shembjes së murit të Berlinit dhe pluralizmit politik në ish-Jugosllavi), Berit Backer e ka pasur rrolin kyç për organizimin e vizitës së parë zyrtare të udhëheqësit të Lëvizjes Paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, në Norvegji dhe me nisje nga Norvegjia në shtetet tjera perëndimore. Delegacioni në përbërje të Ibrahim Rugovës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkelzen Maliqit, përfaqësues i shoqërisë civile të Kosovës dhe Nufri Lekës, në cilësinë e përfaqësuesit të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-s), u pritë në mënyrë zyrtare nga qeveria norvegjeze. Berit Backer është përkujdesur veçanërisht që, nëpërmjet realizimit të vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Qeverinë Norvegjeze, dhe nëpërmes kontakteve të saja me strukturat e KSBE-s, t’i hapen dyert udhëheqësit të Lëvizjes Paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, edhe nga qeveritë, partitë dhe strukturat tjera perëndimore, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar.

Pas daljes nga burgu, Adem Demaçi, që nga takimi tij i parë personal në Norvegji me znj. Backer, lidhi miqësi me te, ata krijuan një konsideratë dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëritjetërit, dhe veçanërisht një bashkëpunim substancial në veprimtarinë e tyre për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, që shërbente si një bazë e fortë “për njohjen e realitetit në Kosovë” nga ana e diplomacisë perëndimore, e kishte peshën e vet të rëndësishme sepse udhëhiqej nga simboli i shqiptarëve për liri dhe barazi, Adem Demaçi, dhe Berit Backer me diturinë dhe nëpërmes kontakteve të saja kudo në Evropë, ndikoi qe ky ”realitet” të shpërndahet më thellë në strukturat e pushtetit të shteteve perëndimore. Kjo pati ndikimin e vet të rëndësishëm, edhe për kyçjen e drejtpërdrejtë dhe veçanërisht për promovimin e meritueshëm të Adem Demaçit në kuadër të Procesit të Helsinkit, si simbol i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që rezultoi edhe me nderimin e tij me çmimin Sakharov.

Rrjedhimisht, duke marr parasysh kontekstin historiko-politik, të veprimtarisë së znj. Berit Backer për çështjen e Kosovës, gjatë viteve të 80-dhjeta deri në vdekjen e saj tragjike në mars të vitit 1993. Përkatësisht gjatë një periudhe historike kur Kosovës i mungonte përkrahja e “të huajve” dhe sidomos kur Kosova kishte më së shumti nevojë, që zërat e ekspertëve “të huaj dhe të pavarur”, të informojnë dhe veçanërisht të bindin kancelaritë politiko-diplomatike të shteteve perëndimore, në lidhje me gjendjen socio-politike në Kosovë. Mund të thuhet, se znj. Berit Backer e ka pasur një rrol të veçantë dhe të pakrahasueshëm  (“nga të huajt”) në kuadër të këtij konteksti historiko-politik: për ndërlidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, dhe rrjedhimisht një rrol shumë të rëndësishëm në kuadër të përpjekjeve për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Sepse përveçse ishte studiuese e mirëfilltë dhe eksperte e çështjes shqiptare, e veçanta e saj ishte se pati guximin dhe vullnetin të bëhet edhe një veprimtare e palodhur dhe e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, në një kontekst historiko-politik të veçantë për Kosovën.  Mirënjohja post-mortum, nga presidenti i Kosovës për znj. Berit Backer, përveçse është një mirënjohje e domosdoshme, njëkohësisht është një mirënjohje shumë e merituar. Me të drejtë, Adem Demaçi, e quante Beriten, Merita, dhe porosiste që të gjithë shqiptarët ta quajnë me ketë emër, siç zakonisht e thërriste Baca Adem: Merita e Shqiptarëve.

Lavdi!

(Autori është politolog. Ky shkrim u publikua në Gazetën Express, pas njoftimit se zonja Berit Backer u dekorua post mortem nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me Medaljen Presidenciale Jubilare)

Berit Backer

Comment

*