“Misioni rus” i Ibrahim Kadriut fiton çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi

Prishtinë, 22 dhjetor 2016 – Sot ëshë mbajtur ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve vjetore “Rexhai Surroi” për romanin shqiptar dhe për gazetari të shkruar, të botuar brenda vitit.

Juria e përbërë nga Drenusha Zajmi – Hoxha, Kim Mehmeti, Halil Matoshi e Zenun Çelaj sivjet e kanë përzgjedhur për Çmimin “Rexhai Surroi” romanin “Misioni rus” të Ibrahim Kadriut.

Atij ia ka dorëzuar çmimin anëtari i jurisë, Zenun Çelaj, doajen i gazetarisë në Kosovë.

Autori Kadriu, duke pranuar çmimin, ka thënë se kjo mirënjohje e ka befasuar.

“Kjo ishte një befasi për mua. Po ta dija më parë nuk do të vija kështu me duar në xhepa. Do ta kisha shkruar një fjalë rasti, jo për vete, po për emrin që mban çmimi. Për mikun Rexhai Surroi, për Rexhain kur kishte student, për hapat e tij të parë në gazetari, për hapat e tij të parë si shkrimtar, për Rexhain ambasador, intelektual, për mikun që aq shumë kontribuoi për popullin e vet”, ka thënë Kadriu.

Ai ka thënë se çmimin që e mban emrin e Rexhai Surroit do ta vendosë në këndin ku e mban edhe kompletin e librave të kërtij autori.

Kadriu ka folur disa fjalë edhe për romanin “Misioni rus”, të cilin e ka vendosur edhe në kontekstin aktual politik.

“Titulli është ‘Misioni rus’,por më shumë ka të bëjë me misionin e rusëve që mbase i kemi prezent edhe sot. U mbetet gazetarëve të shohin se a janë në veri apo në Rahovec”, ka thënë Kadriu.

Në ceremoni u lexua edhe teksti i anëtares së jurisë, Drenusha Zajmi-Hoxha, e cila për arsye objektive nuk ishte e pranishme.

“‘Misioni rus’ i Kadriut, përveçse një art, është edhe një përjetim i shkrimtarit që na zgjon nga alergjia harrestare dhe nga amullia kohore që mjegullon kujtesën. Në këtë kujtesë dhe në trojet tona gjithmonë ka ekzistuar një mision i huaj dhe ky mision, i bartur përmes njerëzve të fshehtë, kanë vepruar kundër nesh, shqiptarëve, duke krijuar huti, vizione të rreme, gracka. Boshti i romanit përbëhet nga spiunët rusë, të shndërruar në misionarë fetarë – hoxhallarë, të cilët bëjnë punën e tyre në mesin e shqiptarëve naivë e besimtarë, të padiktuar deri në momentet kur gjithçka bie në duart e serbëve të uritur e të pamëshirë”, ka shkruar Drenusha Zajmi – Hoxha.

“Romani ‘Misioni rus’ vjen si letërnjoftim, si dëshmi për fillimin e një shekulli plot dramë, mbi të gjitha tragjedi, që na rifreskon kujtesën për një udhëtim dramatik drejt lirisë, të mbushur me mundime, vuajtje, sakrifica dhe gracka të atyre që asnjëherë s’u ngopën me tragjeditë tona dhe rrëmbimin me luftë a dredhi të tokave që nuk ishin të tyret. Ai bën fjalë për kundërthëniet historike të asaj kohe, kur shqiptarët ishin të nëpërkëmbur deri në asgjësim. Në shënjestër është historia, keqtrajtimet dhe keqkuptimet e saj, në kohën kur shqiptarët ishin pa aleatë, të mbetur në mëshirën e fatit dhe të aspiratave të pangopshme të fqinjëve dhe aleatëve të fuqishëm të tyre.

 

Romani përgjithësisht merret me fatet e tyre, me raportet e politikës dhe të grackave ndërkombëtare, në vorbullën hegjemoniste të shteteve fqinje. Ai fat, në faqet e këtij romani, është aq tragjik, aq i padefinuar sa që, shikuar nga prizmi i sotëm, është e habitshme se si shqiptarët kanë mbetur gjallë”, ka shkruar ajo.

“’Misioni rus’, përveç që merret me realitetet kohore, shtron edhe aspekte të tjera të cilat kanë të bëjnë me portretet e figurave më eminente shqiptare të kohës, me ngjyrime reale, pavarësisht se fiksioni është mbështetja e autorit. Faktografia historike është bazament mbi të cilin vjen në shprehje përvoja e autorit në shtjellimin e kësaj gjinie letrare, duke paraqitur jetën e njerëzve të kohës me të gjitha nuancat e tragjedisë të popullit të shtyrë drejt asgjësimit. Modeli i konceptuar për shtruarjen e kësaj lënde të gjerë e bën rrugëtimin efektiv përmes pasazheve, që nuk të lënë indiferent, dhe mesazheve, të cilat na referohen edhe nga emra të njohur të historisë, përbri personazheve fiktive”, ka shtuar Drenusha Zajmi – Hoxha.

“Përgjithësisht ky roman paraqet një pasqyrë të tekstit modern të ndeshur me narracion klasik, e që e bën të afërt, të pëlqyeshëm nga ana e lexuesit. Kësaj i ndihmon edhe dinamika e tekstit me cilësinë e tij dhe afiniteti i shkrimtarit gjatë përshkrimit të ambienteve, të portreteve dhe të ngjarjeve në përballje të dy kodeve, të atij historik dhe të atij imagjinar. Aty janë edhe ngjarjet e personalitetet reale të historive që i trajton. Por, që të shijohet e të përjetohet ai duhet të lexohet. Vetëm atëherë do të kuptohet pse u shpërblye me Çmimin ‘Rexhai Surroi’”, ka shkruar në fund të arsyetimit anëtarja e jurisë së Çmimit “Rexhai Surroi” për rolan, Drenusha Zajmi – Hoxha.

(r.m.)

Comment

*