Mitchell: SHBA mbështet aspiratat e shteteve të Ballkanit

Prishtinë, 12 mars 2018 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratat e shteteve të Ballkanit Perëndimor për integrime evropiane dhe relaksim të raporteve ndër-shtetërore, ka deklaruar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell.

Mitchell i ka bërë këto komente në Prishtinë, pas një takimi që ka zhvilluar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se e kishte kënaqësinë që vizitën e tij të parë në postin e ndihmëssekretari amerikan i Shtetit ta realizojë në Kosovë, në një shtet mik të SHBA-së, dhe e ka vlerësuar progresin në Kosovë.

“Kosova ka shënuar së fundit edhe 10-vjetorin e shtetësisë së saj. Për këto vite, Kosova ka shënuar përparime të mëdha të cilat duhet të vazhdojnë”, ka thënë Mitchell.

Ai ka inkurajuar institucionet e Kosovës që ta vazhdojnë dialogun me Serbinë për normalizimin e raporteve dhe ka bërë thirrje që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet sa më shpejt, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet heqja e regjimit të vizave.

“Vetëm Kosova mund ta zgjedhë të ardhmen e vetë, ndërkohë që SHBA-ja ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar ta mbështesë Kosovën”, ka thënë Mitchell.

Ai i ka përgënjeshtruar raportimet se gjatë qëndrimit në Beograd do të dorëzojë një “plan të ri amerikan për Kosovën”.

“Nuk kam ardhur këtu që të shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur të bisedojmë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, për të folur për dialogun për rrugëtimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Mitchell, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Zyrtari amerikan ka thënë se në Ballkan ka një rritje të ndikimit të Rusisë dhe ka theksuar se kjo nuk është në favor të asnjë vendi të rajonit.

“Kemi parë rritje të ndikimit rus në tërë Ballkanin dhe përpjekjet pë të minuar edhe institucionet demokratike. Në diskutimet tona me përfaqësuesit rusë kemi qenë të qartë se ky ndikim nuk është as në interesin e tyre dhe as të popujve të Ballkanit”, ka theksuar Mitchell.

Ndërkaq, Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës po punojnë shumë në konsolidimin e shtetësisë, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe atë të brendshëm.

Ai e ka falënderuar administratën e presidentit amerikan Donald Trump për vëmendjen që po ia kushton Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës euro-atlantike të rajonit.

Duke folur për Dialogun mes Kosovës e Serbisë, Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve që nuk cenojnë integritetin e Kosovës.

Thaçi e ka siguruar zyrtarin amerikan se Kosova do të bashkëpunojë ngushtë në luftimin e terrorizmit.

Presidenti i Kosovës ka shprehur bindjen se së shpejti do të bëhet edhe ratifikimi I Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka theksuar se partitë politike, qofshin ato në pushtet apo në opozitë, nuk kanë asnjë arsye ta zvarrisin ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u hapet perspektiva e lëvizjes së lirë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

“Shpresoj që partnerët e koalicionit qeveritar të Republikës së Kosovës janë duke biseduar intensivisht me Listën Serbe dhe kjo çështje do të përmbyllet në ditët e ardhshme. Askush nuk e ka më asnjë arsye që të vonojë votimin e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, qofshin ato parti të shqiptarëve apo të komuniteteve. Është interes strategjik dhe interes shtetëror”, ka theksuar Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell do të takojë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile.

Mitchell po viziton Kosovën në kuadër të turneut të tij të parë si ndihmëssekretari i

Pas Prishtinës ai do të vizitojë edhe Shkupin, Beogradin, Athinën dhe Nikozinë. (r.m.)

Comment

*