Mitsotakis shpalli përbërjen e kabinetit të tij qeveritar

Athinë, 9 korrik 2019 – Kryeministri i ri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka bërë  publik emrat e abëtarëve të kabinetit qeveritar që do ta drejtojë ai.

Ai i ka publikuar emrat e 17 ministrave, vetëm pak orë pasi mori detyrën.

Numri dy i qeverisë do të jetë Panagiotis Pikrammenos, ish president i Këshillit të Shtetit, i cili shërbeu pak kohë si kryeministër kujdestar, në kulmin e krizës ekonomike të Greqisë, në vitin 2012.

Ajo që bie në sy dhe që është me interes edhe për Shqipërinë është emërimi i Nikos Dendiasit në postin e Ministrit të Jashtëm, njërës prej figurave më të shquara të Demokracisë së Re. Ai ka drejtuar Ministrinë e Rendit dhe më pas atë të Mbrojtjes në qeverinë e Andonis Samarasit, gjatë viteve 2012-2015.

Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, e cilka është bashkuar me Ministrinë e Emigracionit, do të jetë Mihalis Chrysohoidis, i cili ka shërbyer në të gjitha qeveritë e PASOK-ut pas vitit 2000.

Ministër i Mbrojtjes do të jetë Nikos Panagiotopoulos.

Financat iu besuan Christos Staikouras, falë edhe përvojës së tij në të njëjtën ministri në administratat e mëparshme.

Adonis Georgiadisit iu besua Ministria e Zhvillimit dhe Investimeve.

Zëdhënësi i ri i qeverisë është Stelios Petsas, ish-drejtor i zyrës politike të Mitsotakis.

Mitsotakis e mori mandatin për formimin e qeverisë nga presidenti Prokopis Pavlopulos e pastaj e mori në dorëzim zyrën e kryeministrit nga pararendësi i tij, Aleksis Tasipras.

Qeveria e re e Greqisë do të betohet sot, në mesditë, ndërsa mbledhja e parë e saj do të mbahet të mërkurën.

Sfidat e Qeverisë së re greke nisin me koncensionet 99-vjeçare të pronave shtetërore, të dhëna nga qeveria e Alexis Tsipras, si pjesë të paketave anti-krizë, pastaj me fondet e cunguara për investime, me marrëdhëniet me fqinjët, me mosmarrëveshjet për zonat ekskluzive ekonomike, kryesisht me Turqinë në Detin Egje, etj.

(Ora News.tv)

Comment

*