Mitt Romney: Kjo ishte një kryengritje e nxitur nga Trump

Uashington, 7 janar 2021 – Senatori republikan Mitt Romney, ish-kandidat i kësaj partie për president të SHBA-ve, ka thënë se presidenti në largim Donald Trump i ka nxitur protestuesit e dhunshëm të futen në ndërtesën e Kongresit, raporton CNN.

Romney ka thënë se protesta e dhunshme e përkrahësve të Trumpit është një episod i turpshëm në historinë amerikane.

“Ne mblidhemi sot për shkak të egoizmit të një njeriu dhe zemërimit të mbështetësve të tij, të cilët ai i ka keqinformuar qëllimisht dy muajt e fundit dhe i ka nxitur të bëjnë veprimet që i bënë sot. Ajo që ndodhi sot këtu ishte një kryengritje, e nxitur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ata që zgjedhin të mbështesin lojën e tyre të rrezikshme duke kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve legjitime, demokratike, do të shihen gjithmonë si bashkëpunëtorë në një sulm të paparë kundër demokracisë sonë. Ata do të mbahen mend për rolin e tyre në këtë episod të turpshëm në historinë amerikane. Kjo do të jetë trashëgimia e tyre”, tha Romney.

Të mërkurën, në kohën që Kongresi ishte mbledhur për të konfirmuar fitoren e Joe Bidenit, mijëra mbështetës të Presidentit Trump u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë, duke bërë thirrje për përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve 2020.

Kongresi konfirmoi fitoren e Bidenit, pas numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor dhe rrëzimit të të gjitha kundërshtimeve të disa kongresmenëve dhe senatorëve republikanë.

Pas numërimit të votave të elektorëve nga shteti i Vermontit, presidenti i zgjedhur Biden dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur Harris arritën kuotën e 270 votave të nevojshme për të marrë presidencën e SHBA-së.

(r.m.)

Comment

*