MJ Xhaçka: Zgjedhjet e lira dhe të qeta janë çelësi i eurointegrimit (zë)

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka pranoi se ka një çast të fundit për t’u kapërcyer nga Shqipëria: zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit

Knid Ndrenika

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se Shqipëria përmbushi gjithçka iu kërkua nga Brukseli për eurointegrimin dhe se tash e ka radhën Bashkimi Europian.

Zonja Xhaçka pranoi se ka një çast të fundit për t’u kapërcyer nga Shqipëria: zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit:

“Sigurisht, ka edhe një moment të fundit që duhet kapërcyer me sukses në këtë rrugë drejt konferencës së parë ndërqeveritare: zgjedhjet e 25 prillit. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, të qeta e të gjithëpranuara është çelësi që do të hapë derën e integrimit. Dhe kjo është një çështje që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politikë, pasi jemi të gjithë dëshmitarë të sjelljeve shpesh aspak demokratike gjatë viteve të fundit, ku shpesh axhendat e ngushta politike, të nxitura herë nga lufta për pushtet e herë nga frika nga reforma në drejtësi, janë vënë përpara interesave të vendit. Është e vërtetë që ne si mazhorancë kemi përgjegjësitë tona”.

Përpara deputetëve në seancë plenare kuvendare në mesditë, ministrja Xhaçka theksoi se duhet pohuar pa asnjë hezitim se qartazi Shqipëria i plotësoi të 15 kushtet e Brukselit për thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Ajo që duhet thënë pa asnjë hezitim sot, është që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë. I ka plotësuar të gjithë kushtet që ishin vënë dhe sot meriton një datë për konferencën e parë ndërqeveritare”-tha ajo.

Sipas zonjës Xhaçka “është koha që BE të mbajë premtimin që i ka bërë Shqipërisë” andaj “ajo që më bën optimiste që gjatë këtij viti nuk do të përsëritet më historia e zvarritjeve njëherë me 5 kushte e pastaj me 15, është fakti që mesa duket, brenda vetë BE, ka një ndërgjegjësim që refuzimi ose shtyrja për herë të disatë i mbledhjes ndërqeveritare, në një kohë kur qartazi Shqipëria i ka plotësuar të 15 kushtet, do të rrezikonte seriozisht vetë kredibilitetin e BE”.

Shqipëria ka marrë disa herë miratimin e strukturave europiane, por jo datën e saktë për negociatat apo hapat pasardhës.

Comment

*