Mjeku shqiptar Lulzim Rrafshi vlerësohet me çmimin e karrierës në Kanada

Toronto (Kanada), 19 nëntor 2018 – Mjeku shqiptar Dr.Lulzim Rrafshi është vlerësuar nga Kolegji Kanadez i Mjekëve të Familjes me çmimin e karrierës.

Siç bën të ditur FlasShqip, në Kanada (http://flasshqip.ca/komunitet/1851-dr-lulzim-rrafshi-nderohet-me-cmim-nga-kolegji-kanadez-i-mjekeve-te-familje), mjeku shqiptar u nderua në Forumin e Mjekësisë 2018 të zhvilluar nga 13 deri më 17 nëntor në Metro Convention Centre në Toronto, Kanada.

Në këtë forum Dr. Lulzim Rrafshi është nderuar me çmim karriere për “angazhimin dhe kontributin e veçantë dhe me përkushtim ndaj komunitetit dhe kolegëve”.

Ky vlerësim u akordohet mjekëve me së paku 10 vjet shërbim, të cilët e ushtrojnë profesionin me korrektësi, në përputhje me rregullat e certifikimit të disiplinës përkatëse.

Doktor Lulzim Rrafshi, me origjinë nga Prishtina, ka studiuar fillimisht mjekësinë në Rumani, kurse në kohën e luftës në Kosovë, më 1999, ai ka emigruar bashkë me familjen në Kanada. Prej vitit 2005 ai është i licensuar në Kanada në fushën e mjekësisë familjare. Aktualisht është anëtar i Kolegjit të Mjekëve të Ontarios dhe profesionin e mjekut er ushtron në Londër të Ontarios.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka shprehur kënaqësinë që mjeku shqiptar është nderuar për punën e tij profesionale.

“Dr.Lulzim Rrafshi është vlerësuar për kontributin e veçantë që ka dhënë për më shumë se dhjetë vite ndaj komunitetit dhe kolegëve”, ka shkruar Majko në Facebook, bën të ditur FlasShqip në Kanada. (r.m.)

Comment

*