“Mosmarrëveshje” me fqinjët për ujërat në raportin sekret të qeverisë

Shmangia e rrjedhës së shtretërve të lumenjve, marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë janë pjesë të raportit që paraqiti ministria e Jashtme në Komisionin e Kuvendit për Politikën e Jashtme

Denion Ndrenika dhe Aristir Lumezi

Lumenjtë Vjosë, Drini i Zi dhe Radika mund të pasojnë mosmarrëveshjet e Shqipërisë me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar.

Qeveria e kryeministrit socialist Edi Rama ka hartuar një raport tërësor për marrëdhëniet me fqinjët që përfshin çështjet diplomatike, të të drejtave të njeriut, të shqiptarëve etnikë që jetojnë në këto vende fqinjë si dhe ekonominë dhe fusha të tjera.

Përballë qeverisë së zotit Rama është kërkesa e Greqisë që ka vendosur të ndryshojë rrjedhën lumit Vjosë si dhe të shtetit maqedonas për lumenjtë Radika që derdhet në lumin e madh Drini i Zi.

Shmangia e shtretërve të lumenjve, marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë janë pjesë të raportit që paraqiti ministria e Jashtme në Komisionin e Kuvendit për Politikën e Jashtme, i drejtuar nga ish-ministrja e Jashtme dhe ish-ministrja e Kulturës, Arta Dade, deputete e Partisë Socialiste në qeveri.

Materiali i sotëm është pjesa e fundit e raportit të diskutuar me dyer të mbyllura në këtë komision në 10 dhjetor që është zbardhur nga gazetat “Illyria” dhe “Panorama” në Tiranë.

Sipas raportit, Greqia në 31 korrik 2013 vendosi projektin e shmangies së rrjedhës së Vjosës duke pasur qëllim pasurimin me burim ujor të Liqenit të Janinës.

Vjosa është mes disa lumenjve që Greqia vendosi t’i shmangë rrjedhën për të njejtin qëllim. E tëra kjo është pasqyruar në raportin e ministrisë së Jashtme.

Ministria e mbajti raportin pas kërkesës së deputetit dhe kryetarit të Partisë Republikane në opozitë, Fatmir Mediu dhe deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeveri, Përparim Spahiu.

Ministria e Jashtme pohoi se janë krijuar grupet e përbashkët të punës ndërmjet qeverive për të trajtuar problematikat në rritje.

Veçanërisht shqetësim përbëjnë të dy shtetet maqedonas dhe grek, sepse shmangia e rrjedhës së lumenjve cenon bruimet ujore, energjetike, mjedisore, të faunës dhe florës përreth zonave që e pësojnë këtë cenim.

Grupet e përbashkët të punës shqiptaro-grek do të mblidhen ta trajtojnë çështjen e Vjosës në Tiranë në një datë ende të pacaktuar. Hera e fundit që është diskutuar ka qenë viti 2008 në Greqi.

Vjosa vjen nga rajoni i Janinë-Kallpaqit në Greqi dhe hyn në pikën e “Tri Urave” në fshatin Çarshovë të Përmetit, pranë Leskovikut në jug.

Sipas drejtoreshës së Traktateve dhe të së Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, Suela Janina, problematika me Vjosën është e ngjashme me Radikën.

Ajo theksoi se me palën greke është duke u shtruar rruga e krijimit të grupit të punës për këtë çështje me rotacion, duke konfirmuar takimin në Shqipëri.

“Janë të gjitha procedurat që po përcjellim me vëmendje dhe shpejt do të kemi rezultate konkrete për diskutimet e këtyre çështjeve”-tha drejtoresha në komision.

Lumi Radika përfshin rajonit etnik të Shqipërisë që ndodhet në shtetin maqedonas apo ndryshe Shqipërinë Lindore (jashtë kufijve) të Dibrës së Madhe.

Qeveria e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski ka propozuar që lumi Radika të shmanget në tri rrjedha të tjera për të mundësuar ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Likovës.

Ministria e Jashtme raportoi se është duke e përcjellë me tepër vëmendje gjendjen e krijuar, pasi edhe banorët e zonës së Dibrës së Madhe dhe të zonave të lagen nga Radika janë ngritur disa herë në protesta kundër  propozimit të qeverisë së zotit Gruevski në Shkup, një qytet me rëndësi të jashtëzakonshme e zhvillimit të trevave etnike të Shqipërisë Lindore që sot është kryeqendër e shtetit maqedonas.

Banorët e zonave që lagen nga lumi Radika e kanë kundërshtuar projektin, pavarësisht takimeve të kohëpaskohëshme që ka zhvilluar me ta Banka Botërore. Këtë e konfirmoi drejtoresha Janina.

Sipas saj, banorët kanë kundërshtuar fuqimisht këtë projekt dhe Banka Botërore e ka mbajtur nën vëmendje, me qëllim që t’i garantonte ata për vazhdimësinë e kontakteve dhe për të parë me hollësi e me detaje teknike ndikimin e mundshëm mjedisor.

Sipas drejtoreshës Janina, qeveria maqedonase e ka miratuar teknikisht” projektin për ndërtimin e HEC-it në Fushën e Likovës, por burimet e pakta ujore kanë përfshirë shfrytëzimin duke ndryshuar rrjedhën e pesë degëve të lumit Radika për t’i kanalizuar në tri drejtime për këtë qëllim.

“Ideja është se duke qenë se burimet natyrore nuk janë të mjaftueshme në këtë zonë, është menduar që të merren pesë degë të lumit Radika dhe të çohen në 3 kanale të nëndheshme, drejt fushës së Likovës”-u tha deputetëve drejtoresha Janina.

Kërkesë-propozimi i palës maqedonase i është bërë ministrit të Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri në takimin me homologun e tij shqiptarin etnik të Bashkimit Demokratik për Integrim, Valon Saraçini pak javë më parë.

Burime në ministrinë e Energjetikës së Industrisë në Tiranë, i thanë gazetës “Illyria” se çështja “është ngritur zyrtarisht nga pala maqedonase në takimin e ministrave Saraçini dhe Gjiknuri në Shkup më 26 nëntor”.

Në takim është trajtuar kjo problematikë dhe qeveritari Saraçini ka parashtruar disa detaje të projektit.

Pala maqedonase garanton se projekti nuk do të ndikojë në zonat kufitare mes të të dy vendeve.

Kjo mbështetet në sasinë e ujit në Radikë që kap nivelet 17 metër kub për sekondë, ndërsa shmangia do të jetë vetëm me 2 metër kub për sekondë

Sakaq, sipas ministrit Gjinkuri, rëndësi ka që cështja është shtruar për diskutim mes të dy palëve.

Diskutimin e kësaj teme në takimin Saraçini-Gjiknuri, ministria maqedonase nuk e ka pasqyruar, përveçse e ka përmendur me paragrafin:

“Ministri Saraçini para delegacionit shqiptar prezantoi mundësitë për investime në ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, ndërsa me iniciativë të tij u vendos që dy ministritë të formojnë grupe pune, detyra e të cilëve do të jetë monitorimi i progresit të të gjitha projekteve që u diskutuan në takim”.

Kurse, ministria e zotit Gjiknuri e ka përmendur me fjalinë “gjatë takimit është diskutuar për projektin e Lukovës dhe krijimin e ujëmbledhësit në territorin e Maqedonisë”.

Drejtoresha Janina u pohoi deputetëve të Komisionit të Politikës së Jashtme se “është rënë dakord që ky projekt të vlerësohet teknikisht”.

“Mendojmë se është çështje ditësh që të komunikojmë në mënyrë diplomatike me palën maqedonase, për të bërë mbledhjen e komisionit ndërqeveritar të ujërave dhe ky është i vetmi instrument ligjor, i cili do të shërbejë për diskutimin e të gjitha problemeve që mund të lindin mes dy shteteve dhe kryesisht problemi kryesor që kemi aktualisht është çështja e devijimit të lumit të Radikës dhe të ndikimit që do të ketë në Drinin e Zi”-tha drejtoresha Janina.

Shqipëria, gjithnjë sipas raportimit, mendon se shmangia e një burimi që derdhet në Drinin e Zi nuk do ta cenojë në sasisë shqetësuese dhe të mëdha vetë lumin Drin i Zi. Megjithatë, qeveria gjykon se vendimi përfudnimtar duhet të merret pas vlerësimit të komisioneve mes të dy palëve.

Sipas drejtoreshës Janina, nga informacionet që ka Shqipëria tani për tani, nuk do të ketë ndikim shumë të madh:

“Por, kjo çështje u takon ekspertëve ta vlerësojnë sesa do të jetë ndikimi, duke parë në mënyrë më të detajuar vetë projektin dhe se çfarë parashikon ai”.

Kurse, deputeti republikan Mediu e mbështeti ndërtimin e HEC-it në Fushën e Likovës, por kërkoi që ministria e Energjetikës dhe Industrisë të ketë këshillime në vazhdimësi me ministrinë e Mjedisit:

“E menjëhershme është çështja e diskutimit me palën maqedonase për këtë hidrocentral. Ka një marrëveshje të nënshkruar nga ministrat e Mjedisit për miratimin e integruar të burimeve ujore të lumit Drin, duke filluar nga Liqeni i Prespës dhe që përfundon në lumin Bunë”.

“Mendoj që është shumë i rëndësishëm ndërtimi i hidrocentralit”-tha zoti Mediu, ish-ministër i Mjedisit në vitet 2009-2013 në qeverisjet me Partinë Demokratike.

2 Responses to ““Mosmarrëveshje” me fqinjët për ujërat në raportin sekret të qeverisë”

Read below or add a comment...

  1. jo ujin e radikes says:

    Te falesh uje ne dite te sodit, ndoshta eshte cmenduria me e madhe. Vec asaj edhe Te mendosh se ciles pale i meret dhe kujt i falet ajo eshte krim.Dicka eshte e sigurte ky projekt per devijimin e lumejve nga palet kerkuese, provon vetem “naivitetin’ tuaj nacional…Tregohuni te zgjuar o expert dhe pushtetare shqiptar, te dy lumejte mbajn gjalle trojet e juaja, njerzit tuaj, mos va falni atyre qe gjithmon u kan keqperdorur,injoruar dhe dhunuar…

  2. Zgjohuni dhe mbroni Radiken says:

    Qeveria shqiptare (prej te ministrite perkatese e gjer te Kryeministri), shoqatat qytetare dyhet të reagojnë në mënyrë të përnjëhershme. Qeveria Shqiptare është mjaaaaaft me vonesë. Në Maqedoni po ndërtohet gypat fshehurazi gjithe veres, janë shkarkuar me qindra komionë me cimento, të cilat dërgohen fshehurazi. Nëse qeveria Shqiptare nuk mer masa urgjente do jetë shume vonë, as gjygjet ndërkombëtare nukd o mund ta kthejnë ujin në rrjedhën e vjetër. Zgjohu qeveri shqiptare ndalo vjedhjen e Radikës për të shpëtuar ujin dhe miliardata e humbura te kaskadës se Drinit.

Comment

*