MPJ proteston kundër listimit të lahutës si trashëgimi e Serbisë në UNESCO

Prishtinë, 10 dhjetor 2018 – Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Kosovës ka reaguar kundër përfshirjes së lahutës në listën e trashëgimisë kulturore të Serbisë në UNESCO.

Në një postim në profilin zyrtar në “Twitter”, MPJ e cilëson këtë akt si politizim të UNESCO-s.

“Politizimi të UNESCO-s duhet t’i vijë fundi. Futja e ‘Lahutës’ si një trashigëmi kulturore e Serbisë është në kundërshtim me realitetin dhe ofendues ndaj kombeve të tjera në Ballkan. Ne do të protestojmë në termat më të forta dhe do të ofrojmë argumente që do ta kundërshtojnë këtë vendim politik”, ka shkruar MPJ.

Në lidhje me këtë listim ditë më parë kanë reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Lahuta është një nga instrumentet që ka përcjellë këngët epike shqiptare, dhe paraqet një aset mjaft me vlera për trashëgiminë kulturore shqiptare, pa të cilin nuk do të kishin kuptim këngët kreshnike. (r.m.)

Comment

*