Mrekullia dhe misteri i Kongresit të Manastirit

Ruben Avxhiu

Respekt pa fund për Kongresin e Manastirit
Jemi me fat që nuk mbeti kjo puna e Alfabetit për kohën tonë. Do të ishim bërë lesh e li. Në Shqipëri nuk bien dakord as për datën e çlirimit nga nazistët, imagjino çdo të bëhej për numrin e shkronjave.
Është e jashtëzakonshme që ata burra, u mblodhën në 1908 dhe ia dolën mbanë që të bien dakord per Alfabetin, për këtë gur themeli historik për Kombin Shqiptar.
Historia e shqiptarëve është histori mosmarrëveshjesh, përçarjesh, moskuptimesh e keqkuptimesh, mërish të papajtueshme, hakmarrjesh, egosh kokëforta, krahinizmash, grupazhesh etj.
Mes këtyre, ky Kongres në Manastir është po aq i jashtëzakonshëm sa Besëlidhja e Lezhës dhe Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, në 1912.
Njerëz që i ndante gati gjithshka u bashkuan dhe ranë dakord për diçka themelore. Sot, njerëz që duhet t’i bashkojë gjithshka nuk bien dakord as për gjëra minimale që do të lehtësonin jetën e përditshme.
Sot, heroi në shoqërinë shqiptare është ai që nuk bën kompromis. Dhe kjo në një shoqëri tërësisht të komprometuar moralisht. Përkundrazi, udhëheqësit vazhdimisht dyshohen e akuzohen se bëjnë ujdi mbrapa skenave, në një kohë kur marrëveshjet duhet t’i bëjnë në publik, në sy të të sotmes dhe të të ardhmes të të gjithëve.
Mund të thuhet megjithatë, që Kongresi i Manastirit ishte i vonuar. Se shqiptarët humbën shumë kohë të ndarë me klube që synonin në jetën e tyre të mbyllur të dominonin botën kulturore e politike shqiptare, e cila ende nuk ekzistonte realisht. Të gjithë me gurin e tyre të themelit në dorë për të goditur kokat e njëi-tjetrit.
Por shqiptarët e periudhës së fundit të perandorisë otomane, jetonin nën pushtim, në një regjim që dukej se nuk do të ndryshonte kurrë, në një botë e cila do të kthehej shumë shpejt përmbys në mënyra që nuk i parashikuan dot as njerëzit më të ditur të kohës. Nuk vinte askush para tyre me gabime nga mund të mësonin. Nuk kishte një skenë publike shqiptare, një rrjet arsimor, mediatik apo çfarëdo institucioni mbarëkombëtar. Çdo mjedis i përparuar ishte thjesht një ishull.
Kjo as që krahasohet me kohën tonë dhe nuk mund të shërbejë si justifikim për udhëheqësit e sotëm. Sot nuk jetojmë më në ishuj kulturorë. Me rrjetet sociale jemi madje më afër sesa na mban durimi. Me këmbën e njërit mbi tavolinën e tjetrit.
111 vjet më parë, Kongresi i Manastirit arriti një marrëveshje të madhe kombëtare duke prodhuar një alfabet me 36 shkronja latine për të shkruar gjuhën shqipe. Për më shumë se një shekull po i rradhisim e çradhisim ato shkronja, pa arritur dot të gjejmë renditjen e duhur që do të na mundësojë të merremi vesh me njëri-tjetrin.
Ashtu si një armë që mund të përdoret për të mbrojtur por mund të përdoret edhe për të vrarë, i kemi marë ato shkronja për t’ia hedhur njëri-tjetrit në fytyrë. Për të denoncuar, fyer e mashtruar njëri-tjetrin. Për të çoroditur, çmendur e çakërdisur vetveten.
Jam kurioz se si do të reagonin anëtarët e Kongresit të Manastirit nëse do të mund shihnin se çfarë kemi bërë me kombin e shoqërinë tonë shqiptare, duke përdorur alfabetin e tyre. Mbase do të ishin penduar që bënë një marrëveshje. Ndoshta do të mendonin që do ta kishim merituar të na linin në Babelin e belbëzimeve tona, jo vetëm në dhjetëra nëndialekte, po me hieroglife të pakuptueshme, me sytë e shqyer, si ato të aktivistëve të thekur të partive kur ua kritikon udhëheqësin e dashur e të pagabueshëm. Po mbase do thjesht do t’u kujtohej vetja e problemet e mëhershme dhe do të na mëshironin duke shpresuar se ndoshta vendime të mëdha që na rikthejnë në vete janë duke ardhur, pavarësisht se ende nuk i shohim dot.
Ata do të kishin gjithë arsyet të ishin optimistë. Në fund të fundit, lanë pas diçka që i ka rezistuar kohës. Shkrimet e veprimet tona më të mira, shpesh janë harruar pa mbaruar mirë. As Manastiri, nuk është më. Tani e quajnë Bitola. Ka fare pak shqiptarë. Kurse Alfabeti ka mbetur. Në një botë shumë të ndryshme nga koha kur u krijua, ai është ende këtu dhe do të jetë këtu edhe pas nesh. Edhe pasi të kemi ikur me budallallëqet, urrejtjet e mëritë tona. Breza të rinj shqiptarësh do të vijnë e do të zënë vendin tonë për të arsyetuar e shpjeguar veten e tyre me 36 shkronja.

Comment

*