Muaji mars solli Shkollën Shqipe, mes komunitetit shqiptar, në Waterbury

Dhjetëra fëmijë shqiptarë po ndjekin Shkollën Shqipe, në Waterbury, një kurs tetëjavor që po i lidh në mënyrë të organizuar vogëlushët me gjuhën, traditat dhe kulturën e të parëve.
Në zemër të përpjekjes janë aktivistë vullnetarë si Donika Tasimi, Albana Lame, Zira Barolli, Bela Qosja, Ediz Hoxha, Fatos Bella, dhe imam Gazmend Aga.
Ishte deri diku një hap drejt të panjohurës, po organizatorët morën zemër dhe u entuziasmuan kur plot 36 fëmijë shënuan emrat e tyre vetëm në ditën e parë të regjistrimit. Përgjigjia e komunitetit kishte qenë e jashtëzakonshme.
Fëmijë të tjerë janë shtuar në ditën e dytë të shkollës dhe të tjerë mund të vijnë më tej, ndërsa shqiptaro-amerikanët e zonës mësojnë për këtë nismë të bukur.
Të paktën në momentin e fillimit, nisur nga shënimet në faqen në Facebook të Komunitetit Mysliman Shqiptaro Amerikan (AAMC) në Waterbury, ishin krijuar 5 klasa nga 12 nxënës, pra 60 fëmijë gjithësej.
“Nxënësit janë ndarë në dy grupe, sipas ditës së pjesëmarrjes”, shkruhet në njoftimin për komunitetin. “Në shkollë mësohet gjuha dhe kultura shqipe, morali dhe besimi, ka aktivitete sportive dhe drekë të përbashkët”.
Mësuesit po shërbejnë vullnetarisht. Ndërsa shumë prindër e veprimtarë të komunitetit po ndihmojnë me çfarë munden.
Mes veprimtarive të shumta që synojnë të bashkojnë komunitetin e shqiptarëve të zonës, AAMC këtë fundjavë organizon edhe një mëngjes të përmuajshëm, të përbashkët. Këtë fundjavë e kishte radhën, i ashtuquajturi “Mëngjez i të gjitha kohërave”. Siç duket i quajtur kështu sepse u përgatit tërësisht nga burrat dhe u shpall si sukses i madh. (Nuk e di nëse burrat e kanë menduar mirë këtë punë në plan afatgjatë.)
Shënimi i radhës në Facebook, njofton se ka qenë edhe Mëngjezi i fundit për sezonin.
“Falenderime te sinqerta per te gjitha zonjat qe çdo muaj me punen e tyre bene te mundur kete aktivitet shume te bukur duke nisur me ideatoren e mengjesit, Albanen, te palodhuren Zira dhe zonjat Bela, Sonila, Aurela, Fatma, Diana, Flodi, Ola etj.
Nuk mund te leme pa permendur burrat te cilet shkelqyen sot; te perhershmit e mengjeseve Sali dhe Nikolin, yjet e mengjesit te sotem Sokoli, Edi, Ermiri, Beni, Semi, Fatosi, Flladi dhe reklamuesi me shume se punetori Imam Gazi”.
Nuk e pyetëm imamin Gazi, për këtë kompliment të maskuar si shpoti, po ai na tregoi për gazetën “Illyria” lidhur me shkollën shqipe, e cila mbetet e hapur për fëmijët e të rinjtë që variojnë nga 6 deri në 18 vjeç, ku vetëm cikli i parë është 8 javë.
“Qëllimi i kësaj shkolle fundjave është mësimi i gjuhës, kulturës dhe traditave tona të mrekullueshme, tha Imam Gazmend Aga. “Është mëkat të jetosh në një vend si SHBA’ja ku gëzohen të drejta të plota dhe mundësitë janë të mëdha, e të mos përpiqesh për të kultivuar në brezat e rinj dashurinë për vendin tonë”.
“Gjuha, kultura dhe traditat tona janë thesar”, shtoi ai. “Ndërkohë që fitojmë dollarin, le të mos humbim thesarin. Komuniteti shqiptar është prej komuniteteve më të mirë integruar dhe me vlera në SHBA. Mbetet detyrë e jona për të punuar me brezat e rinj. Me këto reflektime, AAMC me vullnetarët e saj, mbështetjen e dhjetra prindërve dhe ambasadores sonë në SHBA Floreta Faber rihapën shkollën shqipe në Waterbury, CT”.
Siç na shpjegoi Imam Gazi, në Shkollën Shqipe fëmijët dhe të rinjtë mësojnë “gjuhë dhe kulturë shqipe, folklor, vlera universale si mikpritja, dashuria, respekti, si dhe synohet rritja e shpirtit komunitar mes të rinjve shqiptar”.
Suksese me këtë nismë kaq të bukur. (r.a./Illyria)

   

Comment

*