Mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni problemet kryesore për bizneset në Kosovë

Prishtinë, 13 mars 2018 – Në një raport të hartuar nga Dhoma amerikane e tregtisë në Kosovë thuhet se 98 për qind e bizneseve në vend e vlerësojnë korrupsionin si problem serioz ndërsa faktorët që e mundësojnë këtë janë sundimi i dobët i ligjit dhe mungesa e vullnetit politik për të lufutar korrupsionin.

Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë publikimit të hulumtimit me titull “Studim mbi perceptimin e korrupsionit”, në të cilën janë anketuar 214 biznese nga sektorë të ndryshëm.

“Sfidat kryesore të identifikuara kanë qenë sistemi gjyqësor jo efikas, do të thotë i jepet një rëndësi shumë e madhe sundimit të ligjit në vend. Mirëpo, ajo që është edhe më shqetësuese është që sfida e dytë kryesore është identifikuar prani e lartë e korrupsionit”, tha Visar Hapçiu nga Dhoma amerikane e tregtisë në Kosovë.

Raporti nxjerrë në pah se 75 për qind e bizneseve besojnë që korrupsioni në Kosovë është sistematik ndërsa ai nuk ka ndryshuar shumë gjatë pesë viteve të fundit. 48 për qind e bizneseve thonë se janë përballur me korrupsion posaçërisht në ministri dhe kompanitë publike ndërsa rreth 15 për qind e tyre kanë raportuar rastet e korrupsionit.

“Meqenëse është një numër shumë i vogël i bizneseve që kanë raportuar korrupsionin, i kemi pyetur për arsyet e hezitimit dhe opsioni më shpesh i zgjedhur është nga frika e hakmarrjes për të ardhmen nga institucioni në të cilin ka ndodhur ky rast”, tha zoti Hapçiu.

Sipas raportit, përceptimi i shumicës së bizneseve mbi korrupisonin buron në masë të madhe nga përvoja e partnerëve dhe miqve ose nga përvoja personale.

“Në masë të madhe perceptimi më i lartë për korrupsionin në mesin e bizneseve ka qenë në sistem gjyqësor dhe gjykatat kur dihet që gjykatat duhet të jenë ato që e luftojnë korrupsionin dhe një rezultat i tillë është jashtëzakonisht shqetësues. Si institucioni i dytë me perceptimin më të lartë të korrupsionit ka dal Organi i Pavarur i Prokurimit, pastaj ndërmarrjet publike, Prokuroria, komunat, etj”, tha zoti Hapçiu.

Drejtori i Dhomës amerikane të tregtisë në Kosovë, Arian Zeka thotë se pasojat e korrupsionit përjetohen çdo ditë nga bizneset.

“Bizneset si askush tjetër në këtë shoqëri i nënshtrohen rregullave të lojës që i imponon korrupsioni. Disa prej tyre dëshirojnë të krijojnë përfitime individuale e biznesore, shumë të tjerë për shkak se kjo mbetet shpeshherë e vetmja mënyrë e mbijetesës në treg”, tha zoti Zeka.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se nëpërmjet ndryshimeve ligjore dhe Kodit të procedurës penale pritet të rriten masat kundër korrupsionit.

“Një risi në këto dy kode është përfshirja e rekomandimeve për suspendimin nga puna të çdo zyrtari me rast të ngritjes së aktakuzës për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, një politikë kjo që shprehimisht është duke bërë të qartë se korrupsioni në institucionet tona dhe kudo që shfaqet do të marr përgjigjen e duhur dhe do të jemi të pakompromis”, tha ministri Tahiri.

Kosova vazhdon të përballet me kritika për shkallën e lartë të korrupsionit dhe mangësive në luftën kundër kësaj dukurie posaçërisht në rastet e nivelit të lartë. Shqetësime për këtë dukuri kanë ngritur edhe faktorët ndërkombëtarë në Kosovë të cilët kanë paralajmëruar se gjatë këtij viti do të shtyjnë përpara reformat në drejtësi si një mundësi për ta larguar Kosovën nga vendet më të prekura nga shkalla e korrupsionit.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)

Comment

*