Mungesa e votave për Demarkacionin përplas prapë AAK-në dhe LDK-në

Prishtinë, 2 mars 2018 – Opozita në Kosovë po e fajëson koalicionin qeverisës se po e hedh fajin në fushën e gabuar rreth ratifikimit të Demarkacionit. Përplasjet janë evidente sidomos në raportet mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe  Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK-ja e sheh reagimin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht të kryetarit të saj e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, si përpjekje për të fshehur të vërtetën se nuk ka arritur të sigurojë votat për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Nga kryeministri Haradinaj dhe nga tabori i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë drejtuar kritika në adresë të LDK-së për, sië thuhet, “ndryshimin e tekstit” të marrëveshjes së arritur ndërmjet partive të koalicionit qeverisës dhe LDK-së. Fjala është për mospërfshirjen në pakon e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, edhe të raportit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, i cili ngre dyshime të shumta rreth saktësisë së Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për medie, tha se Qeveria do të duhej ta falënderonte LDK-në, e cila i ka dhënë mbështetje Projektligjit të hartuar nga Qeveria e Kosovës, ndonëse ajo është në opozitë. Ajo i hodhi poshtë akuzat për ndryshim të tekstit.

“Ne nuk kemi propozuar tekst tjetër. Po ai tekst, pra, teksti identik, ka kaluar në Komision për Politikë të Jashtme. Ne nuk besojmë se aty ka pasur ndryshime thelbësore. Qasja e AAK-së, në këtë rast, ka qenë tërësisht e papranueshme, sepse siç duket, kanë probleme brenda partnerëve të koalicionit dhe po tentojnë që ta zhvendosin vëmendjen diku tjetër, në raport me LDK-në”, tha Osmani, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, koalicioni qeverisës, pavarësisht mbështetjes së LDK-së, nuk ka arritur ende ta bindë partnerin e saj qeverisës, Listën Serbe, që të votojë për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se ka disa paqartësi rreth pikave të përfshira në pakon e Projektligjit, por shprehur bindjen se këto paqartësi do të zgjidhen në bashkëbisedim me LDK-në.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se mungesa e konsensusit për Demarkacionin duhet të jetë një zhvillim shqetësues për të gjithë. Sipas tij, nuk ka nevojë të humbet më shumë kohë me deklarata, por duhet të veprohet shpejt dhe të votohet ratifikimi i Marrëveshjes.

“Ne mendojmë që ajo çfarë do të duhej të thuhej për ratifikimin e Marrëveshjes, e cila do të duhej ta përmbyllte shënjimin e vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, në këto dy apo tri vitet e fundit është thënë. I dimë argumentet, i dimë faktet, i dimë perceptimet, i dimë opinionet, i dimë dallimet, i dimë qëndrimet e këtij komisioni dhe të atij komisioni dhe nuk ka nevojë më që Kosova të humbë kohë. Nuk ka nevojë me që të dëgjojmë narracione, të cilat i kemi dëgjuar edhe në këto tre javët e fundit”, theksoi Hoxha, citon Radio Evropa e Lirë.

Aktualisht, besohet se Marrëveshja e Demarkacionit e ka mbështetjen e 77 apo 78 deputetëve, numër ky i pamjaftueshëm votash për ratifikim, sepse për këtë nevojiten 80 vota.

Në rrethana të tilla, te spektri politik i Kosovës ekziston bindja se java e ardhshme mund të sigurohen votat e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes. Tash për tash, shpresë kryesore mbtetet Lista Serbe.

Ratifikimi i Narrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi pritet të nxirret në votim në vazhdimin e seancës, që është paralajmëruar për datën 5 mars.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mbetet kusht për libderalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për përfshirjen e vendit  në agjendën evropiane. (r.m.)

Comment

*