Murati tregon përse Lëvizja për Bashkim u nda nga PDK-ja

Prishtinë, 10 shtator 2017 – Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka treguar arsyet që e kanë çuar partinë e tij në ndarjen e rrugëve me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), me të cilën ishte në koalicion deri në ditën që koalicioni PANA (PDK-AAK-NISMA-AKR) nënshkroi marrëveshje për bashkëqeverisje me Listën Serbe.

Murati, i cili ishte ministër i Diasporës në qeverinë që po e përfundon mandatin, ka thënë se Lëvizja për Bashkim dhe ai vetë nuk pajtohen që Qeveria e Kosovës të jetë e varur politikisht nga Lista Serbe.

Murati, në një adresim diasporës, ka përsëritur se ka preferuar një qeveri të përkohshme, me bazë të gjerë, e cila do të zgjidhte problemet me gë cilat përballet sot Kosova.

“Për shkak të rrethanave politike, të krijuara pas zgjedhjeve të 11 qershorit, kam pasur bindjen e thellë se rruga e duhur për ta vendosur Kosovën në binarët e një stabiliteti politik ka qenë një qeveri gjithëpërfshirëse, me mandat të kufizuar kohor, por që do të çonte përpara disa nga problemet themelore me të cilat është përballuar vendi ynë në të kaluarën e afërt (reforma zgjedhore, krijimi i ushtrisë, demarkacioni, asociacioni etj.). Gjithashtu kam qenë i bindur dhe e kam shprehur edhe publikisht se një qeveri në të cilën shqiptarët dhe pakicat e tjera nuk e arrijnë shumicën (numrin prej 61 votave), do të thoshte fuqizim dhe krijim i varësisë politike nga Lista Serbe, e cila, realisht, vazhdon të jetë dorë e zgjatur e Beogradit. Në rrethanat kur kjo ndodhi, kur nuk pati gatishmëri nga subjektet politike shqiptare (PAN-i, VV dhe LDK) për të tejkaluar interesat e ngushta partiake, unë, personalisht, dhe Lëvizja për Bashkim, e konsideruam të pamundur të bëhemi pjesë e kësaj qeverie. Ne, gjithashtu, konstatuam se rrugëtimin tonë politik tani më do ta bëjmë vetë, në mënyrë që programin dhe platformën tonë politike, si dhe atë të zhvillimit ekonomik, ta shndërrojmë në një alternativë serioze politike. Për ta arritur këtë, është i nevojshëm bashkimi i potencialit të secilit prej nesh. Ky projekt ka nevojë për njerëz të vullnetshëm dhe të drejtë, të cilët janë të gatshëm të japin kontributin e tyre të vlefshëm për të mirën e vendit tonë. Dhe, njerëz të tillë ka shumë”, ka thënë Murati, në një adresim publik, një ditë para dorëzimit të madatit të ministrit të Diasporës. (r.m.)

Comment

*