Mustafa: Deputetët do të vendosin për lëvizjen e lirë ose për izolimin

Prishtinë, 4 mars 2017 – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përsëritur edhe një herë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Këtë herë, Mustafa e ka bërë këtë nëpërmjet një statusi në Facebook, duke marrë shkas nga vizita në Kosovë e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Ai ka shkruar se Mogherini “hoqi çdo dilemë dhe na garantoi se ratifikimi i demarkacionit në Kuvend liberalizon vizat për qytetarët e Kosovës”.

Ky është postimi i plotë i Musfatës në Facebook:

 

“Të dashur miq,

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian/Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, hoqi çdo dilemë dhe na garantoi se ratifikimi i demarkacionit në Kuvend liberalizon vizat për qytetarët e Kosovës.

Znj. Mogherini, po ashtu, e sqaroi që kemi bërë progres të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe se ky kriter tashmë është përmbushur.

Andaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë në dorë fatin e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë në BE.

120 deputetët e zgjedhur me votën tonë duhet të vendosin se a do t’i marrin parasysh interesat e qytetarëve të Kosovës, a do t’i marrin parasysh garancitë e plota të SHBA-ve se shënjimi i kufirit është bërë si duhet, konfirmimet e mëpasme të komisioneve të ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, apelet e BE-së e vendeve mike… apo do të zhytemi më tej në batakun e akuzave e kundër akuzave politike, duke izoluar bashkëvendasit tanë, studentët, familjet, pacientët…

Andaj, është koha e fundit t’i lemë anash interesat partiake dhe të bëjmë një hap të përbashkët historik përpara.”

(r.m.)

Comment

*