Mustafa e Kurti bisedojnë për veprim të përbashkët opozitar

Prishtinë, 25 shtator 2018 – Krerët e dy partive më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, janë takuar sot në Prishtinë.

Mustafa dhe Kurti, nëpërmjet rrjetit social Facebook, kanë bërë të ditur se kanë biseduar për veprim të përbashkët opozitar kundër projekteve që e rrezikojnë sovranitetin dhe integriotetin territorial të Kosovës dhe kundër degradimit të mëtejmë të qeverisjes së Kosovës

“Sot u takuam me z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe biseduam për shumë tema që e rëndojnë aktualitetin në Kosovë. Shprehëm gatishmërinë të intensifikojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi I territorit të ndalet sa më shpejtë. Vlerësuam bashkërisht se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë, për ndryshime”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndërkaq, Kurti ka bërë të ditur se në takim është shprehur gayishmëria e të dy palëve për intensifikimin e “bashkëpunimit opozitar” për ta ndalur “rrezikimin e territorit”.

“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore”, ka shkruar Kurti.

Takimi Mustafa-Kurti zhvillohet disa ditë para mbajtjes së protestës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër planeve të Presidentit Hashim Thaçi që në bisedimet me Serbinë të diskutohet për ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarë të LDK-së kanë thënë se tash për tash nuk do të ftojnë anëtarësinë në këtë këtë protestë, me arsyetim se përfaqësuesit e saj në Kuvend janë të vendosur të pengojnë çdo proces që e rrezikon sovraniutetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës. (r.m.)

Comment

*