Mustafa: Enver Malokun e vranë ata që nuk e deshën çlirimin e Kosovës

Prishtinë, 11 janar 2021 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka përkujtuar gazetarin, intelektualin dhe veprimtarin e palodhshëm për pavarësinë e Kosovës, Enver Maloku, në 22 vjetorin e vrasjes së tij.

Në dedikimin e tij, të publikuar në faqen e LDK-së në Facebook, Mustafa shkruan se Enver Maloku, të cilin e quan ”Zëri i Lirisë”, u vra nga ”ata që nuk e deshtën çlirimin e Kosovës”.

Mustafa e ka vlerësuar me supertaliva figuren dhe veprën e Malokut.

”Enver Maloku mbetet model i shkëlqyeshëm i gazetarëve dhe atdhetarëve të Kosovës, që pa asnjë ngurrim, me një përkushtim dhe vendosmëri të pafund dhe me dashuri ndaj vendit, punuan pa ndalur për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”.

”Njerëzve të mëdhenj si Enver Maloku, u shënohet vetëm data e lindjes, sepse ata lindin për të mos vdekur kurrë”, thekson ai.

Kryetari i LDK-së kërkon zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut dhe të veprimtarëve të tjerë politikë, të cilat nuk janë ndriçuar asnjëherë.

”Zbardhja e vrasjes së Enver Malokut dhe veprimtarëve tjerë nuk është vetëm detyrim ndaj familjes dhe LDK-së, por është një obligim ndaj demokracisë së Kosovës, shtetit ligjor dhe drejtësisë në vendin tonë”, shkruan Mustafa..

Në mbyllje të dedikimit, Musta e citon edhepresidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili quante Malokun ”Zëdhënës i Pavarësisë” së Kosovës.

Enver Maloku u vra më 11 janar 1999, para banesës së tij në Prishtinë.

 

Dedikimi i plotë i Mustafës:

 

Në natën e acartë të 11 janarit 1999, tinëzisht ia ndalën punën dhe angazhimin Zërit të Lirisë, Enver Malokut. Ata që nuk e deshtën çlirimin e Kosovës, vranë veprimtarin Enver Maloku, por asnjëherë nuk e vranë dhe nuk e ndalën veprën e tij të madhe.

Enver Maloku i takon plejadës së intelektualëve, gazetarëve dhe publicistëve më të guximshëm të Kosovës që nuk kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur bindjet dhe idealet e mëdha për një shtet të lirë dhe demokratik.

I pazëvendësueshëm është kontributi i tij në drejtimin e Qendrës për Informimin e Kosovës e cila gjatë viteve të 90-a shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve, e që përmes informacioneve palëkundur, fuqishëm dhe me guxim të jashtëzakonshëm në kohën e okupimit serb, informoi dhe sensibilizoi opinionin ndërkombëtar mbi veprimet e regjimit të Millosheviqit për krimet e rënda dhe tragjike që po ndodhnin në Kosovë.

Enver Maloku mbetet model i shkëlqyeshëm i gazetarëve dhe atdhetarëve të Kosovës, që pa asnjë ngurrim, me një përkushtim dhe vendosmëri të pafund dhe me dashuri ndaj vendit, punuan pa ndalur për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

Njerëzve të mëdhenj si Enver Maloku, u shënohet vetëm data e lindjes, sepse ata lindin për të mos vdekur kurrë.

Zbardhja e vrasjes së Enver Malokut dhe veprimtarëve tjerë nuk është vetëm detyrim ndaj familjes dhe LDK-së, por është një obligim ndaj demokracisë së Kosovës, shtetit ligjor dhe drejtësisë në vendin tonë.

Ashtu siç e quante Presidenti Historik Ibrahim Rugova, qoftë i përjetshëm kujtimi, për Zëdhënësin e Pavarësisë, Enver Malokun!

(r.m.)

Comment

*