Mustafa: Fitorja e LDK-së në Istog është kontestuar me vota të kriminalizuara

Prishtinë, 30 nëntor 2017 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, së bashku me kandidatin për kryetar të komunës së Istogut, Haki Rugova, kërkojnë që në Istog të mos shkohet në rivotim, por të anulohen votat me postë.

Mustafa tha se Rugovës është tentuar t’i kontestohet fitorja përmes “votave të kriminalizuara, të importuara nga qendrat kriminale”, të cilat, në mënyrë të organizuar, janë futur në zarfa në Mal të Zi , në Serbi, në Slloveni dhe në Austri.

“Këto vota ne kemi konstatuar se nuk janë vota të diasporës, ashtu siç është shprehur kundërkandidati i Rugovës, sepse diasporën shqiptare nuk e përbëjnë serbët, malazezët edhe boshnjakët. Diaspora kosovare nuk është në Serbi as në Mal të Zi. Ne e dimë se ku janë bashkatdhetarët tanë të shtrirë, në vendet e BE-së“, tha Mustafa.

Ai tha se LDK do të kërkojë nga Gjykata Supreme e Kosovës që ta hedhë poshtë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rivotim dhe t’i anulojë votat me postë.

“Ne do të kërkojmë nga Gjykata Supreme që ajo ta ndryshojë vendimin e PZAP dhe në vend që të shkohet në rivotim, në komunën e Istogut të anulohen votat që kanë ardhur me postë që janë vota të kriminalizuara, vota të njerëzve të vdekur, vota të njerëzve të cilëve u është ndërruar identiteti , vota të njerëzve që nuk jetojnë fare në komunën e Istogut, vota të njerëzve që jetojnë në Francë, ndërkaq për ta janë dërguar dokumente nga Mali i Zi”, tha Mustafa.

Ndërkaq, Haki Rugova ka thënë se vendimi për rivotim është padrejtësi ndaj qytetarëve të komunës së Istogut.

“Unë konsideroj që qytetarëve të Istogut po u bëhet një padrejtësi, sepse ata e kanë dhënë votën e vet”, tha Rugova.

Ndërsa i pyetur lidhur me rrëzimin e kërkesës së LDK-së për rinumërim të votave në Prishtinë, kryetari i LDK-së, Isa mustafa, tha se ka dyshime se gjatë procesit ka pasur manipulime, përmes metodës së ”trenit bullgar”

“Gjatë numërimit të fundit të votave me kusht vëzhguesit tanë kanë vërejtur tre zarfe pa fletëvotime që kanë qenë të bardha. Ne do të bëjmë vërejte se ku janë ato fletëvotime, të cilat nuk janë gjetur, sepse kjo flet se ekziston mundësia e një ‘treni bullgar’ në këtë rast. Do të kërkojmë që kjo të sqarohet”, tha Mustafa.

Mustafa tha se me çështjen e dokumentimit të abuzmeve do të merret Shtabi Zgjedhor i Prishtinës dhe kandidati Arban Abrashi. (r.m.)

Comment

*