Mustafa: Haradinaj të sqarojë çfarë ka proceduar në Kuvend

Prishtinë, 4 dhjetor 2017 – Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se Kryeministri Ramush Haradinaj duhet të sqarojë se çfarë ka proceduar në Kuvend, sepse, sipas tij, në mbledhjen e Qeverisë nuk u sqarua nëse në Kuvend do të procedohet Marrëveshja e Demarkacionit e vitit 2015 apo diçka tjetër.

“Ne presim së pari të sqarohet vetë kryeministri se çka ka dërguar në Kuvend. Ai është përgjegjës për vënien e nënshkrimit në projektligj, sepse kryeministri e nënshkruan projektligjin i cili i shkon Kuvendit, apo ka shkuar vetëm sa ta sfidojë Kuvendin”, ka thënë ai, trasmeton Insajderi.

Mustafa ka thënë se dikush duhet t’u tregojë qytetarëve të këtij vendi përse ka manipuluar me këtë çështje dhe përse e ka shfrytëzuar atë si kauzë, për të ardhur në pushtet.

Ai ka thënë se LDK-ja do të marrë qëndrim lidhur me këtë çështje pasi kryeministri t’i japë këto sqarime.

“Pasi t’i sqarojë këto, atëherë ne, bashkë me grupin tonë parlamentar, do ta diskutojmë dhe do të marrim qëndrim’, ka thënë Mustafa.

Ish kryeministri Mustafa ka thënë se Komisioni i ri për demarkacionin, i emëruar nga kryeministri Haradinaj, nuk ka sjellë asnjë argument se Kosova humb territor me marrëveshjen e vitit 2015. Ai ka theksuar se sot askush nuk ka folur për “hektarët e humbur”, për të cilët, siç ka thënë ai, “ishte kallur Prishtina dhe Kosova”.

“Është me rëndësi themelore që e vërteta të dalë në shesh. Sot kërkush s’ka folur se a i kemi humbur as 8 mijë as 8 mijë e 200 hektarë. Do të thotë s’ka folur për hektarët. Ndërsa për hektarët është kallur Prishtina dhe Kosova, duke i bindur qytetarët se Kosova ka humbur territor, se dikush e ka shitur territorin. Ne presim që edhe Bulliqi edhe shokët e Bulliqit të dalin e t’i gjejnë hektarët për të cilët ata dëshmonin përpara se i ka humbur Kosova”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i ka bërë këto komente duke folur për vendimin e Qeverisë Haradinaj që të procedojë në Kuvend marrëveshjen e demarkacionit, bashkë me raportin e komisionit për demarkacionin. (r.m.)

Comment

*