Mustafa jep sinjale mbështetjeje për idenë e“korrigjimit” të kufijve

Prishtinë, 12 janar 2019 – Institucionet e Kosovës kanë marrë të premten mbështetjen e partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), për përfaqësimin e vendit në fazën finale të dialogut me Serbinë. Madje, LDK-ja ka lënë të hapur edhe mundësinë për mbështetjen e një zgjidhje që do të prekte kufijtë e vendit, shkruan sot Koha Ditore.

Këto qëndrime i ka shprehur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, të premten, në takimin e kryetarëve të degëve të partisë,

“E kemi vlerësuar letrën e presidentit Trump dhe mobilizimin e gjithë institucioneve të Republikës së Kosovës që procesi i dialogut të shkojë karshi angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai, citon gazeta.

Mustafa ka lënë të kuptohet se Kosova nuk ka as arsye dhe as fuqi të dalë kundër një zgjidhjeje që përkrahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se SHBA-ja e ka bërë shtet Kosovën dhe se pa mbështetjen e saj sot Kosova do të kishte më shumë se një milion refugjatë nëpër botë.

“S’mund të krekosemi që ne tash i kemi do parime më të mëdha se SHBA-ja sa i përket Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Zyrtarë të lartë dhe përfaqësues diplomatikë amerikanë kanë deklaruar se uashingtoni do ta  përkrahë një zgjidhje për të cilën do të merren vesh autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë.

Por, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka deklaruar se Uashingtoni nuk do të përkrahë gjithëfarësoj marrëveshjeje. (r.m.)

Comment

*