Mustafa: Jo shkëmbim të territoreve, por bashkim të Luginës me Kosovën

Preshevë, 1 gusht 2018 – Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH, Ragmi Mustafa, ka thënë se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është zgjidhja më e mirë për normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ai ka thënë se kërkesa e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën është legjitime dhe buron nga referendumi i mbajturr më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, kur shqiptarët u deklaruan për bashkim me Kosovën.

Mustafa ka thënë se me siguri ky do të jetë një nga propozimet që do të jenë në rend të ditës në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit.

“Askush nuk flet për shkëmbim të territoreve, por për demarkacion të ri të kufirit, gjatë të cilit Kosova dhe Serbia, me marrëveshjen e re, e cila do të jetë e përhershme, do t’i zgjidhin problemet e tyre në mënyrën më të mirë dhe do të shkojnë drejt integrimit europian. Kur dy vende fqinje flasin për demarkacionin e kufijve, është normale që të dy vendet të kujdesen për pakicat e tyre”, ka thënë Mustafa për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Duke folur për kërkesën e liderëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës që Prishtina të flasë në emër të tyre në negociatat me Beogradin, në Bruksel, Mustafa ka thënë se përfaqësuesit politikë shqiptarë kanë diskutuar për këtë edhe me liderë politikë në Shqipëri.

“Shqiptarët nga këto tri komuna nuk presin më që të drejtat e tyre të përmirësohen në kuadër të Serbisë, për shkak se asnjëra nga marrëveshjet e arritura më parë nuk po zbatohet. Kur Kuvendi i Republikës (së Serbisë) në vitin 2013 e kishte miratuar Deklaratën shtatë pikëshe të kërkesave të shqiptarëve, ish-presidenti dhe kryeministri i Serbisë i kishin vlerësuar ato kërkesa krejtësisht reale dhe kishin premtuar se do të trajtohen nga çdo ministri e linjës, por asnjë ministri nuk ka filluar asgjë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë pritur 20 vjet që të respektohen të drejtat e tyre, por kjo nuk ka ndodhur. (r.m.)

Comment

*