Mustafa: Kelmendi e Gjakova e ngritën Kosovën në majat e sportit evropian

Prishtinë, 20 prill 2017 – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, i ka uruar xhudistet Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën për suksesin e arritur në kampionatin evropian që po mbahet në varshavë të Polonisë.

Mustafa ka thënë se këto dy xhudiste e ngritën Kosovën në majat e sportit evropian e botëror.

Majlinda Kelmendi sot e fitoi të medaljen e artë, kurse Nora Gjakova e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Poloni.

Postimi i plotë i Mustafës”

“Mbretëresha e xhudos, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova i sollën vendit edhe dy trofe.

Medalja e Artë e Majlindës dhe Medalja e Bronztë e fituar nga Nora në Kampionatin Evropian në Poloni e rikthyen Kosovën në majat e sportit evropian.

Qeveria e Kosovës tashmë i ka siguruar buxhetin dhe projektin për ndërtimin e Palestrës Nacionale të Xhudos në Pejë, e cila do të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti, ku do të stërviten kampionet tona aktuale si dhe brezat e rinj të xhudistëve të Kosovës.

Ju lumtë Majlindë, Norë, trajnerë dhe i gjithë ekipi ynë në Poloni!”.

(r.m.)

Comment

*