Mustafa kërkon përkrahje të fuqishme të qeverisë për dialogun me Serbinë

Prishtinë, 26 korrik 2020 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka bërë thirrje gjithë spektrit politik të Kosovës që t’u japin përkrahje të fuqishme Kryeministrit, Qeverisë, Presidentit dhe institucioneve tjera shtetërore për dialogun me Serbinë.

Në një postim në Facebook, Mustafa ka shkruar se përgjegjësia për dialogun me Serbinë i takon shumicës parlamentare dhe jo ndonjë subjekti veç e veç

“Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e cojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka theksuar se dialogu me Serbinë është krejtësisht politik dhe duhet të rezultojë me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke.

Kryetari i LDK-së i ka bërë të ditur se të dielën ka zhvilluar një bisedë telefonike me koordinatorin shtetëror për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, i cili gjendet në Bruksel.

“Sot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog. Shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke”, tha ai.

Skender Hyseni e ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në takimin me delegacionin e Serbisë që u mbajt të enjten, në Bruksel. Të premten, ai është takuar me Ndihmës Sekretarin Kyesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan te Shtetit, Philip Reeker.

Të nderuar qytetarëSot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog. Shpreha…

Posted by Isa Mustafa on Sunday, July 26, 2020

Kryeministri Avdullah Hoti ka marrë kritika nga partnerët e koalicionit qeverisës dhe opozita për mënyrën e rifillimit të dialogut me Serbinë.

Partnerët e koalicionit të qeverisë Hoti, Aleanca për Aardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kanë kërkuar që në qeverinë Hoti të përfshihet edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Zyrtarët e PDK-së ia kanë bërë me dije Hotit se nuk e ka mbështetjen e PDK-së për dialogun, përderisa nuk udhëhiqet nga SHBA-ja.

Ndërkaq, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e akuzojnë Hotin se në bisedimet në Bruksel shkoi pa platformë, pa ekip dhe pa agjendë të qartë. Për më tepër, udhëheqja e kësaj partie e quan Qeveri pa legjitimitet Qeverinë që e udhëheq Hoti.

(r.m.)

Comment

*