Mustafa: “LDK do ta votojë Demarkacionin, nëse kufiri zhvendoset në Çakorr e Zhlep”

Prishtinë, 13 shtator 2017 – Ish-kryeministri Isa Mustafa, e quan “vendim demonstrativ“ vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e Komisionit shtetëror për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit, i cili kishte punuar në demarkacionin me Malin e Zi, bashkë me komisionin përkatës të këtij vendi.

“Me tepër e shoh si vendim demonstrativ, se sa një veprim me logjik shtetërore. Në këtë rast do të duhej ta thërriste komisionin, të kërkonte llogari prej tij, të komunikonte me Malin e Zi e pastaj ta çonte në qeveri. Kjo më shumë është bërë për publik, si realizim i disa zotimeve”, ka thënë Mustafa në emisionin “Rubikon”, në KTV.

Mustafa ka thënë se deputetët e LDK-së do ta votojnë “me të dy duart” Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, nëse kryeministri Haradinaj arrin ta zhvendosë vijën e kufirit në Zhlep e në Çakorr.

Ai ka thënë se LDK nuk mund të votojë një marrëveshje për të cilën ishte akuzuar për “tradhti” dhe për “shitje” të territorit të Kosovës, përveçse nëse kundërshtarët kërkojnë falje publike dhe tregojnë se këto akuza kanë qenë pjesë e luftës politike.

Ish-kryeministri ka thënë se Haradinaj duhet të komunikojë edhe me Malin e Zi lidhur me këtë çështje.

“Ky komision duhet ta ketë edhe një komision tjetër me të cilin do të komunikojë, sepse nuk mund të komunikojë me vetëveten. Nëse ekziston vullnet i Malit të Zi, atëherë për mua do të ishte e mirëpritur”, ka thënë ai. (r.m.)

Comment

*