Mustafa: Në PDK janë angazhuar njerëz nga lidhje të afërta me ish pushtuesin

Prishtinë, 19 janar 2021 – Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar ashpër udhëheqjen aktuale të kësaj partie.

Mustafa, në një postim në Facebook, ka shkruar se, me kalimin e viteve, kjo parti “ka akomoduar edhe oportunistë e njerëz që kanë qenë të afërt me ish pushtetin e para vitit 1999“.

Ai thotë se ndër njerëzit e angazhuar rishtazi në PDK ka edhe të atillë që vijnë “nga lidhje të afërta me ish pushtuesin“ dhe japin “çertifikata“ për individë brenda PDK-së, madje, edhe për ish-eprorët e UÇK-së.

“Sot, me njerëz që janë angazhuar rishtazi (Doktoranta, mastera të internetit e lloj-lloj kualifikimesh) në PDK, kemi arritur deri aty sa dikush që vjen nga lidhje të afërta me ish pushtuesin, të jap ‘çertifikata’ për individë brenda PDK-së, që përcaktojnë shkallën e lojalitetit të tyre ndaj vlerave të UÇK-së, madje, këtë ‘çertifikatë’ ja akordojnë edhe vet eprorëve të UÇK-së“, ka shkruan Mustafa.

“Të tillët nuk i duhen gjë PDK-së dhe ata, është koha të largohen nga ky diskurs krejtësisht cinik“, ka theksuar ai.

Mustafa ka shpjeguar se ai nuk është pjesë e strukturave të PDK-së, por nuk mund të ishte indifferent dhe të mos reagonte ndaj “personazheve që njihen për afërsinë e tyre me ish pushtetin e që sot, kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierarkisë së UÇK-së“.

Postimi i plotë i Rrustem Mustafës:

PDK-Origjina dhe hijenat…

PDK është parti e themeluar nga njerëz që kanë demonstruar kredenciale të larta morale e kombëtare në kohët e arritjeve të mëdha kombëtare. Me kalimin e viteve, ajo ka akomoduar edhe oportunistë e njerëz që kanë qenë të afërt me ish pushtetin e para vitit 1999. Sot, me njerëz që janë angazhuar rishtazi (Doktoranta, mastera të internetit e lloj-lloj kualifikimesh)në PDK, kemi arritur deri aty sa dikush që vjen nga lidhje të afërta me ish pushtuesin, të jap ‘çertifikata’ për individë brenda PDK-së, që përcaktojnë shkallën e lojalitetit të tyre ndaj vlerave të UÇK-së, madje, këtë ‘çertifikatë’ ja akordojnë edhe vet eprorëve të UÇK-së.

Të tillët nuk i duhen gjë PDK-së dhe ata, është koha të largohen nga ky diskurs krejtësisht cinik.

Ka një kohë që e kam pushuar aktivitetin tim në strukturat e PDK-së, por nuk mund të rrija neutral e të mos reagoj ndaj personazheve që njihen për afërsinë e tyre me ish pushtetin e që sot, kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierarkisë së UÇK-së.

Kjo nuk duhet të tolerohet nga PDK.

Është e tepërt.

(r.m.)

Comment

*