Mustafa nënshkruan memorandum me Bankën Evropiane të Investimeve

Prishtinë, 13 korrik 2017 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Dario Scannapieco, kanë nënshkruar në Trieste një Memorandum Mirëkuptimi, i cili do të mundësojë përfshirjen e BEI-së në përgatitjen dhe financimin e projekteve të përzgjedhura brenda listës prioritare, të cilat përkojnë me objektivat zhvillimore të Kosovës.

Në këtë kontekst, Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë identifikuar fushat kryesore të bashkëpunimit. Ato përfshijnë: transportin, energjinë, infrastrukturën komunale e mjedisore, arsimin, shëndetësinë, strehimin social, bujqësinë dhe mbështetjen e sektorit privat.

Me rastin e nënshkrimit është theksuar përkrahja e mëtejme e Bankës Evropiane për Investime për shumë projekte të rëndësishme në Kosovë.

Dy palët kanë biseduar edhe për rehabilitimin e linjave hekurudhore e të rrugëve automobilistike, për projekte të ndryshme në fushën e shëndetësisë, në sektorin e ujërave dhe të ngrohjes qendrore, si edhe në sektorin privat.

“Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, ka zhvilluar takime të ndara edhe me komisionerë të BE-së, zëvendës presidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller, dhe me personalite të tjera, të cilët kanë vlerësuar se rritja ekonomike e Kosovës është rezultat i lidershipit të kryeministrit Mustafa, duke shprehur besimin që edhe qeveritë tjera të ndjekin shembullin e Qeverisë Mustafa dhe të kujdesen për financat publike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit në detyrë. (r.m.)

Comment

*